Kryeministri i vendit, Albin Kurti bashkë me kryeparlamentaren Vjosa Osmani, kanë marrë pjesë sot në aktivitetin e shënimit të 31-vjetorit të grevës së Stantërgut, ku po mbahen protesta kundër punësimeve në Trepçë.
Kryeministri Kurti para protestuesve tha se ashtu siç shkarkoi Bordin e Telekomit, njejtë do të veprojë edhe me bordet e tjera, ndërsa u premtoi se do t’i shqyrtojë kërkesat e tyre.
“Dje shkarkuam bordin e Telekomit dhe do të vazhdojmë edhe me bordet e tjera, por që na duhet kohë të veprojnë pasi jemi vetëm në javën e dytë të qeverisjes”, tha ai.
Arsim Musa, nga këshilli organizativ i protestës, kërkoi nga kryeministri Kurti që të shkarkojë edhe Bordin udhëheqës të Trepçës, pasi që sipas tij kanë bërë shkelje në konkursin e fundit, duke punësuar familjarë.
“Kërkoj nga kryeministri Kurti të shkarkojë bordin udhëheqës pasi në konkursin e fundit janë punësuar njerëz me lidhje familjare direkt me këtë bord”, tha ai.
Protesta u shpërnda e qetë dhe Kurti u premtoi se do t’i takojë në zyrën e tij për të analizuar më shumë këtë çështje.
Greva e Stantërgut është grevë historike e cila rikujton 20 shkurtin e vitit 1989, ku minatorët u ngujuan në minierë, në shenjë revolte ndaj regjimit të asaj kohe./GazetaSinjali/