image Kurti nga Korisha: Shteti i Kosovës do të kujdeset për ta njohur historinë e masakrave të secilit krim e secilit kriminel

Politikë

Kurti nga Korisha: Shteti i Kosovës do të kujdeset për ta njohur historinë e masakrave të secilit krim e secilit kriminel

news image

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nderoi martirët dhe të rënët për liri në fshatin Korishë të Komunës së Prizrenit.

Kurti së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj, Kryetarin e Komisionit Qeveritar për personat e zhdukur, Andin Hoti dhe deputetë të Kuvendit të Republikës, bëri homazhe te Memoriali i Martirëve në Korishë dhe zbuloi shtatoren e heroit Sali Shabani.

Me vendosje të luleve dhe një minutë heshtje, Kurti përkujtoi civilët shqiptarë nga Korisha dhe fshatrat Budakovë, Reshtan, Bllacë, Mushtisht, Maçitevë dhe Greikoc, të vrarë në maj të vitit 1999 me të vetmen arsye se ishin shqiptarë.

“Jam këtu si Kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës, jo vetëm thjeshtë të ndaj ndjesitë e përbashkëta për viktimat me familjarët e tyre dhe të gjithë të tjerët, por jam këtu sot në ditën e martirëve të Korishës, sidomos për të treguar që shteti i Kosovës do të kujdeset maksimalisht për trashëgiminë e luftës në Kosovë. Veçanërisht për ta njohur historinë e masakrave dhe të secilit krim e të secilit kriminel, si dhe për të denoncuar të gjitha hallkat e sistemit shtetëror të Serbisë”, tha Kurti.

“Kur sheh pllakën përkujtimore me emrat e të vrarëve në Korishë, vëren që të paktën 14 prej tyre kanë qenë fëmijë, pra ishin nën moshën 18 vjeçare atëherë kur u vranë. Mosha e tyre është dëshmia më e pakontestueshme e pafajësisë së gjithë këtij grupi aq të madh të njerëzve, që Serbia i vrau vetëm pse ishin shqiptarë”.

/GazetaSinjali/