Kryeministri i Kosovë, Albin Kurti, pas përurimit të rrugës “Adem Demaçi”, në Çair, sot gjatë ditës është takuar me kryetarin e komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Gjatë këtij takimi Kurti e Kasami folën për thellimin e bashkëpunimit në rrafshin lokal, me theks në arsim e kulturë.
“Lidhja jonë është shpirtërore dhe ne këtë e kemi dëshmuar me bashkëpunimet e deritanishme. Po ashtu biseduam edhe për situatën politike në vend si dhe rreth zhvillimeve të fundit”.
“Turizmi malor është një mundësi tejet e mirë për t’u afruar Tetova dhe Prizreni dhe ne mbetemi të angazhuar që të ofrojmë mundësinë që qytetarët tanë lirshëm të qarkullojnë nëpërmjet projekteve të përbashkëta zhvillimore”, shkroi Kasami.
Tutje, bëhet e ditur se kreu i Tetovës i dhuroi Kurtit pikturën e cila sipas tij, simbolizon dëshminë e vuajtjeve të dikurshme të popullit shqiptar nga Prizreni e Tetova.
“Sot, jemi shumë më mirë se dje, po punojmë që e nesërmja të na gjejë me investime kapitale dhe projekte kombëtare”, tha Kasami.
Ndërsa sipas fotografive, shihet se Kurti gjatë kësaj vizite është shoqëruar nga bashkëshorti i Presidentes, Prindon Sadriu, që është Zëvendësshef i misionit në Ambasadën e Kosovës në Shkup dhe me Zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durimishi.