Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se njëra ndër shtyllat e shtetit funksional është sundimi i ligjit dhe drejtësia efikase.
Në takimin e parë të grupit punues për hartimin dhe finalizimin e procesit të Vettingut, Kurti tha se kjo reformë do të eliminojë mungesën e qasjes në drejtësi për qytetarët dhe do të garantojë rezultate cilësore dhe kthim të besimit të qytetarëve në drejtësi.
“Pas miratimit të koncept-dokumentit për Vettingun, sot e hapim takimin e parë të grupit punues të ngarkuar me hartimin e amendamenteve kushtetuese si një hap tutje drejt realizimit të reformës së domosdoshme në dobi të drejtësisë në Republikën e Kosovës. Padyshim se njëra ndër shtyllat e shtetit funksional është sundimi i ligjit dhe drejtësia efikase. Sistemi ynë i drejtësisë është i brishtë në mungesë të rezultateve dhe llogaridhënies, e me drejtësi selektive dhe të pabarabartë, mungesa e besimit të qytetarëve në sistemimin gjyqësor dhe prokuroria vazhdon ta karakterizojë sistemin e drejtësisë”, tha kryeministri.
“Diskutimet lidhur me nevojën për reformën në drejtësi janë prapa nesh, tashmë nuk kemi dilemë se a duhet të ndodhin apo jo, kjo reformë do të eliminojë mungesën e qasjes në drejtësi për qytetarët dhe do të garantojë rezultate cilësore dhe kthim të besimit të qytetarëve në drejtësi sepse na duhen gjyqtarë të drejtë dhe efikas dhe prokurorë me integritet dhe energjikë. Duhet përqendruar në hapa të atillë që kanë për qëllim të fundit, sigurimin e prokurorisë efikase, gjyqësorin e drejtë dhe së fundmi fuqizimit të llogaridhënies së sistemit gjyqësor”.
Tutje, kryeministri tha se Vettingu do të sigurojë vlerësimin e mirëfilltë dhe profesional të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të perfomancës dhe të profesionalizimit të tyre, si dhe do të verifikojë pasurinë e tyre.
“Përgjigjja pozitive ndaj reformës do të tregonte maturi dhe vullnet për reformat të cilat drejtësisë do t’i sjellin rezultate, pavarësi, profesionalizëm dhe besim. Reformat e këtilla duhet kuptuar si garantuesin më të madh të mbrojtjes së pavarësisë së gjyqësorit. Balanci ndërmjet fuqive rrit llogaridhënien dhe llogaridhënia rrit efikasitetin. Efekti i tillë prodhon transparencë të domosdoshme për qytetarët dhe kthen besimin e tij në besim. Qeveria e Kosovës përmes Vettingut do të përgjigjet në kërkesën e pashtershme të qytetarëve për drejtësi, do të krijojë hapësirën e domosdoshme që Qeveria dhe Institucionet shtetërore të vihen në shërbim të popullit dhe mos krijojnë sundim mbi të. Tashmë jemi të vendosur që këtë reformë ta kompletojmë tutje deri në fund”, tha në fund kryeministri./GazetaSinjali/