Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim përfaqësuesin special të sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Zahir Tanin, raporton Gazeta Sinjali.
Tanin citohet ta ketë përgëzuar Kurtin për fitoren e thellë në zgjedhje dhe për mandatin e fuqishëm që ka marrë në udhëheqje të Qeverisë.
Në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, njoftohet se Tanin ka thënë që shpresat dhe kërkesat e qytetarëve janë të varura në prioritetet që Kurti ka shpalosur gjatë fushatës zgjedhore, si luftimi i pandemisë, lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit.
Gjatë këtij takimi, bëhet e ditur se Kurti e ka njoftuar Tanin për masat e reja antiCOVID-19, të cilat thotë se qeveria ka qenë e detyruar që t’i marrë, për të mbrojtur shëndetin publik.
Kurti citohet të ketë thënë se institucionet vendore janë duke u angazhuar maksimalisht për sigurimin e dozave të tjera të vaksinës kundër COVID-19.
“Kryeministri Kurti dhe z. Tanin u pajtuan se në këto ditë të vështira të pandemisë që ka përfshirë globin, prioritet i çdo qeverie duhet të jetë shëndeti dhe jeta e njeriut”, thuhet në kumtesë.
Ata folën edhe për mbledhjen e radhës për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, që do të mbahet këtë të martë./Gazeta Sinjali/