Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takoi sot drejtorin rajonal të NDI për Evropën Qendrore dhe Lindore, Robert Benjamin dhe drejtoren e kësaj organizate për Kosovë, Nancy Soderberg.
Në njoftimin e qeverisë thuhet se gjatë takimit u bisedua për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe transparencën.
“Ai tha se NDI mund të ndihmojë edhe më tej në demokratizimin e partive politike dhe në mbështetjen dhe forcimin e shoqërisë civile. Demokracia është e lidhur me respektimin e promovimin e të drejtave të njeriut dhe se të drejtat bazike të njeriut nuk duhet të fitohen, sepse ato na takojnë për vet faktin që ekzistojmë, u shpreh kryeministri Kurti. Ai shtoi se nuk mund të ketë demokraci pa pluralizëm dhe një shoqëri civile të fortë dhe se Republika e Kosovës është shembull rajonal në këtë drejtim. Kryeministri Kurti gjithashtu theksoi nevojën për të dhëna cilësore dhe analizë të të dhënave që duhet të vijnë nga institutet tona e që ndihmojnë vendimmarrjen dhe i ftoi përfaqësuesit e NDI për bashkëpunim në këtë drejtim”.
“Drejtori Rajonal i NDI për Evropën Qendrore dhe Lindore, z. Benjamin u shpreh i lumtur që janë të pranishëm në Kosovë dhe se duan ta rrisin më shumë praninë e tyre sikurse edhe bashkëpunimin me Zyrën e Kryeministrit dhe institucionet tjera për promovimin e qeverisjes së mirë dhe demokracisë. Ai tha se është evidente që ka një betejë ndërmjet demokracisë dhe autokracisë, dhe theksoi rëndësinë që integriteti i informacionit dhe luftimi i dezinformimit ka në këtë rast. Z. Benjamin falënderoi kryeministrin Kurti për mbështetjen e deritanishme dhe për pjesëmarrjen e tij në Javën e Gruas”, thuhet në njoftim.