image Kurti: Ne politikanët kemi për obligim të jemi në shërbim të qytetarëve

Politikë

Politikë/ Kurti: Ne politikanët kemi për obligim të jemi në shërbim të qytetarëve

news image

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Shqipëri pas marrjes së detyrës, është takuar edhe me kreun opozitar Lulzim Basha, me të cilin kanë biseduar për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Pas takimit me kreun e Partisë Demokratike, kryeministri Kurti është pyetur për deklaratën e sotme, ku ka theksuar se sot në takim me Edi Ramën nuk kanë diskutuar për mini-Shëngenin ballkanik, por për makro-Shëngenin ndër-shqiptar.

Ai tha se është obligim i politikanëve të punojnë për ngritjen e dinjitetit të qytetarëve.

“Patëm një takim të përzemërt dhe konstruktiv me liderin e opozitës Lulzim Basha. Pozitë e opozitë në të dyja anët e kufirit. Kuvend e qeveri do të bashkëpunojnë në mënyrë që Kosova dhe Shqipëria të jenë në nivel të detyrës. Jo vetëm zyrtare, por edhe historike për qytetarët tanë, të cilët siç e dimë, janë edhe me varfërinë më të madhe dhe papunësinë më të madhe jo vetëm në rajonin tonë. Pra, është obligim i ynë si politikanë kudo që jemi tërë kohën të jemi në shërbim të qytetarëve edhe të Kosovës, edhe të Shqipërisë për të ngritur dinjitetin”, tha Kurti.

Ndërsa, lideri i opozitës në Shqipëri, Lulzim Basha tha se prioritetet për bashkëpunim me Kosovën janë të qarta, dhe se do të punojnë si opozitë për tregtinë e lirë ndërmjet dy vendeve.

“E sigurova se për Partinë Demokratike dhe për opozitën e bashkuar, prioritetet e bashkëpunimit me Kosovën janë të qarta. Dhe ne do të bëjmë gjithçka në tregtinë e lirë, në integrimin e lirë të Shqipërisë e të Kosovës. Për t’iu dhënë shanse për punësim qytetarëve tanë, e në veç anti rinisë. Për të ndalur shpopullimin që është produkt i drejtpërdrejtë i korrupsionit dhe kapjes së shtetit nga krimi i organizuar. Sikundër edhe për angazhimin tonë sot dhe nesër për të vazhduar fuqimisht të shtetit nga Republika e Shqipërisë për Republikën e Kosovës për njohjen ndërkombëtare dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë. Sikundër edhe për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës”, tha Basha.

Kreu opozitar Lulzim Basha u zotua se Qeveria Kurti mund të mbështetet në opozitën shqiptare për realizimin e objektivave. /Gazeta Sinjali/