image Kurti: Ne duam që dialogu të përfundojë dhe Kosova të jetë pjesë e NATO-s

Politikë

Kurti: Ne duam që dialogu të përfundojë dhe Kosova të jetë pjesë e NATO-s

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kritikoi ato që ai i quajti “raporte të ngrohta” midis Serbisë dhe Rusisë, duke thënë se Beogradi po dërgon sinjale se po zgjedh autokracinë.

Gjatë samitit të Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Prishtinë, Kurti tha se në kohën kur Rusia po vazhdon pushtimin e Ukrainës, Serbia ka arritur dy marrëveshje me Moskën, atë për furnizim me gaz edhe për tri vjet, dhe një marrëveshje për koordinim të politikës së jashtme.

“E kemi ditur për një kohë të gjatë se Serbia dëshiron t’i sigurojë të gjitha, edhe armë ruse, edhe investime kineze, fonde evropiane, por edhe tolerancë amerikane. Por, pushtimi rus ka zbuluar diçka të cilës i jemi frikësuar shumë, por nuk e kemi ditur me siguri: ballafaquar me zgjedhje midis demokracisë dhe autokracisë, Beogradi çdo ditë po përçon sinjale të qarta që do ta zgjedhë këtë të fundit”, tha Kurti.

Në maj, Serbia njoftoi se ka arritur marrëveshje për furnizim me gaz rus për tre vjetët e ardhshëm. Beogradi tha se kontrata parasheh blerje të gazit me çmim tri herë më të lirë se gazi i shitur në tregjet evropiane.

Kjo marrëveshje u arrit në kohën kur Rusia nisi ndalimin e dërgesave me gaz për shtetet evropiane, duke rritur çmimet dhe thelluar krizën energjetike.

Ndërkaq, në shtator të këtij viti, Serbia dhe Rusia nënshkruan Planin e Konsultimeve midis ministrive të Jashtme për dy vjetët e ardhshëm.

Serbia tha se marrëveshje të tilla Beogradi dhe Moska kanë që nga viti 1996 dhe ato nënshkruhen çdo dy vjet. Por, arritja e kësaj marrëveshjeje u kritikua nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, me Brukselin që shprehu shqetësim për “forcimin” e bashkëpunimit Serbi-Rusi.

Kryeministri Kurti tha se Serbia po refuzon që t’i bashkohet Bashkimit Evropian në vendosjen e sanksioneve ndaj Moskës për shkak të agresionit ndaj Ukrainës.

Ai tha se Serbia paraqet “kërcënim” për paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Po të ishte Rusia demokraci e vërtetë me shumë gjasë nuk do ta sulmonte kurrë Ukrainën. Ngjashëm, po të ishte Serbia demokraci e vërtetë, e jo një shtet me një parti ku opozita nuk ka kurrfarë gjase që të fitojë, nuk do të ishte një kërcënim kaq i madh ndaj paqes afatgjatë në rajonin tonë. Në këtë kuptim, përpjekjet e presidentit [të SHBA-së, Joe Biden] për të promovuar vlera demokratike në gjithë botën mund të shihen si përpjekje për të ruajtur paqen mes kombeve. Në të kundërtën e kësaj, autokratët ia kthejnë shpinën popullit të tyre për ta përqafuar njëri-tjetrin”, tha ai.

Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, por ka mbështetur disa rezoluta në Kombet e Bashkuara që dënojnë Rusinë për pushtimin e Ukrainës.

Në panelin e titulluar: “Rritja e qëndrueshme, prosperiteti dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor” mori pjesë edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili tha se SHBA-ja mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik.

Duke folur për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Hovenier tha se ky proces duhet të përmbyllet.

“Ne duam që dialogu të përfundojë dhe që Kosova të jetë pjesë e NATO-s”, tha ai.

Ambasadori amerikan tha se duhet të bëhet më shumë punë për rritjen ekonomike, teksa theksoi se Kosova po përballet me sfida në sektorin ekonomik dhe në tërheqjen e investitorëve të huaj./REL/

/GazetaSinjali/