COVID-19

Të infektuar

4307

Të shëruar

2095

Të vdekur

94

Mbledhja/ Kurti – ministrave: Karrigat i kemi, por do të rrimë në këmbë, mësojeni përmendësh programin qeverisës

news image

Qeveria e re e Kosovës e ka mbajtur mbledhjen e parë ceremoniale pas votimit të djeshëm në Kuvendin e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u ka thënë ministrave se më shumë do të rrinë në këmbë sesa në karriget e tyre, shkruan Gazeta Sinjali.

“Karrigati i kemi, por jam i bindur se më shumë do të rrimë në këmbë për shkak të punëve të shumta që na presin”, tha Kurti.

Ai i inkurajoi ministrat që të jenë të përpiktë në realizimin e programit qeverisës, pasi, siç tha, “sytë e popullit janë te ky kabinet”.

“Sytë e gjithë popullit janë te ky kabinet, te secili prej jush. Do të ishte mirë ta mësojmë përmendësh programin tonë që del nga marrëveshja e përbashkët, sepse me të do të zgjohemi në mëngjes, e me të do të flemë në mbrëmje”, u shpreh Kurti.

“Ky kabinet është i qytëtarëve dhe ne punojmë në emër të tyre dhe për ta. Ata na e kanë dhënë neve besimin, mandatin dhe presin nga ne t’i realizojmë prioritetet dhe detyrat tona. Energjia dhe entuziazmi i qytetarëve duhet të jetë motor për punën tonë, prandaj edhe nuk mund të pushojmë derisa ta shpërblejmë besimin e tyre”, tha Kurti në fjalën hapëse.

Sipas tij, ministrat duhet të rrinë më shumë me qytetarët sesa nëpër zyret e tyre.

“Ministri i Bujqësisë duhet të kalojë më shumë kohë me fermerët sesa në zyrën e tij, e ministri i Shëndetësisë më shumë kohë duhet të kalojë me mjekë e pacientë. Pra jo të rrimë ulur në kolltuqe e të urdhërojmë nga lart por të zbresim poshtë të qytetari, sepse atje është e vërteta jonë”, tha Kurti.

Shanset për të pasur sukses qeveria, Kurti i ka vlerësuar të mëdha, teksa ka thënë se çdo sukses dhe çdo tështim do të jetë kolektiv, dhe jo personal e partiak.

“Shanset për sukses i kemi të mëdha, por duhet të punojmë si ekip. Sukseset e dështimet janë kolektive e jo personale, e aq më pak partiake. Partitë i kemi në Parlament, këtu punojmë si ekip”, tha Kurti.

Paraprakisht, ai e mori zyrtarisht detyrën e shefit të qeverisë nga zëvendëskryeministri i deritashëm, Behgjet Pacolli. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin