image Kurti merr letër falënderimi nga von der Leyen dhe Trudeau për përkrahjen për Ukrainën

Politikë

Kurti merr letër falënderimi nga von der Leyen dhe Trudeau për përkrahjen për Ukrainën

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pranuar një letër falënderimi nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, për përfshirjen në aktivitetin e zotimit për ndihmë Ukrainës. ​

“Duam t’ju falënderojmë ngrohtësisht për kontributin në aktivitetin e zotimit ‘Stand up for Ukraine’, më 9 prill 2022”, kanë shkruar në letër von der Leyen dhe Trudeau. 

Sipas komunikatës për media të ZKM-së, ata kanë njoftuar se nga ky aktivitet janë mbledhur 9.1 miliardë euro për njerëzit që po ikin nga invazioni i Rusisë, dhe po kërkojnë strehim në Ukrainë dhe jashtë saj. Kjo shumë e mbledhur do të ndihmojë në mbulimin e nevojave të refugjatëve në shtetet fqinje, si edhe për sigurimin e përkrahjes humanitare për të zhvendosurit brenda Ukrainës.

Përveç furnizimit me burimet aq shumë të nevojshme për njerëzit e prekur nga invazioni, pjesëmarrja e 40 qeverive dhe institucioneve, ashtu si edhe sektorit privat dhe shoqërisë civile, ka dërguar edhe mesazhin e unitetit dhe solidaritetit me Ukrainën, kanë shkruar von der Leyen dhe Trudeau.

Meqenëse konfliktit nuk po i shihet fundi, ata kanë thënë se, duhet që të vazhdojmë dhe të shkojmë një hap më tej me përkrahjen tonë për popullin trim të Ukrainës. 

Në fund të letrës, Presidentja Ursula von der Leyen dhe Kryeministri Justin Trudeau, kanë shprehur shpresën që mobilizimi i fortë i solidaritetit global me Ukrainën dhe popullin e saj do të vazhdojë.

“Kryeministri Kurti i ishte bashkuar aktivitetit “Stand up for Ukraine”, së bashku me liderë nga vende të ndryshme të botës, të cilët nëpërmjet videoincizimeve kanë shprehur përkrahjen dhe solidaritetin e vendeve të tyre me popullin e Ukrainës. 

“Duke e dënuar invazionin dhe agresionin rus, Kryeministri Kurti ka dërguar porosinë për gatishmërinë e Republikës së Kosovës për pranimin e 5000 refugjatëve ukrainas, ndarjen e fondeve të ndihmës humanitare, si edhe fondin e posaçëm për strehim dhe akomodim për punë të 20 gazetarëve nga Ukraina. Një gazetare ukrainase tashmë ka arritur dhe po vazhdon misionin e gazetarisë nga Kosova”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.

/GazetaSinjali/