Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka folur para qytetarëve të cilët marshuan për të kërkuar drejtësi për rastin e vdekjes së Astrit Deharit.
Kurti ka bërë disa akuza publike lidhur me këtë rast, teksa ka kërkuar hetim të pavarur, të paanshëm dhe ndërkombëtar, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai ka dhënë një shkak për të cilin thotë se është vrarë Astrit Dehari.
“Astriti u mbyt nga regjimi sepse s’mund të merrej në pyetje. Në Kosovë, drejtësia e sistemi është bërë vend i krimit, në rastin më të rëndë në mbytjen e Deharit”, deklaroi ai.
“Tri vjet pa Astritin janë shumë. Janë shumë vjet, për të gjithë ne. Jemi tronditur të gjithë atë ditë kur e arrestuan Astritin. Jemi tronditur kur e akuzonin pa aktakuzë, kur e mbanin në burg pa e marrë në pyetje e kur na thanë se nuk do ta shohim më”, nis fjalimin e tij Kurti.
Lideri i LVV-së e ka akuzuar fillimisht Drejtorin e atëhershëm të rajonit të Policisë së Pejës, për të cilin tha se ishte i pari që nisi gënjeshtrat për vdekjen e Deharit.
Më pas, akuza drejtoi edhe në drejtim të kryeprokurorit të Prokurorisë së Shtetit, Sylë Hoxhës.
“Në qelinë A3 të Burgut të Prizrenit, e kanë mbytur një njeri të pafajshëm. Ekspertiza ligjore qysh atëherë ka konstatuar që për 11 lloje të drogave janë zhvilluar teste, e në asnjërën prej tyre Astriti nuk ka dalë pozitiv. Ka qenë plotësisht i shëndoshë. I pari që foli atëbotë nuk ishte drejtori i burgut, as i Ministrisë së Drejtësisë, por kryepolici i rajonit të Pejës, Nexhmi Krasniqi, thua që Astriti na vdiq në rrugë. Ai gënjeu për çdo deklaratë të tij. Nëse Astriti do të lihej në liri ose në detyrim të paraqitjes në polici, prokurori do të duhej të mos ngutej”, tha ai.
“Kryepolici i rajonit të Prizrenit, pati thënë se Astriti ka vdekur nga doza e tepërt, kryeprokurori Sylë Hoxha konstatoi se Astriti është vrarë pa u bërë hetimet, kjo tregon se edhe në polici edhe prokurori s’kemi pasur drejtësi, por ka ekzistuar një qëllim para drejtësisë. Ata patën qëllim tendencioz. Raporti i autopsisë në Prishtinë tha se shkaku i vdekjes është bllokimi i frymëmarrjes, me shishen e plastikës. Raporti nga Instituti zviceran, praktikisht e rrëzoi këtë dhe solli të reja fakte”, tha Kurti.
Sot 3 vjet, aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, në rrethana shumë të dyshimta. /Gazeta Sinjali/