image Kurti: Ligji për Zyrtarët Publikë dhe ai për Pagat, hap i madh përpara ndryshimit thelbësor

Politikë

Kurti: Ligji për Zyrtarët Publikë dhe ai për Pagat, hap i madh përpara ndryshimit thelbësor

news image

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se, ligji për Zyrtarët Publik dhe ai për Pagat në Sektorin Publik, dy pjesë të të njëjtit projekt, janë një hap i madh përpara ndryshimit thelbësor që e presin të gjithë.

Ai i ka falënderuar të gjithë deputetët dhe deputetet që mbështetën sot me votën e tyre këto dy ligje bazë për reformën në administratë publike.

“Përmes këtij ligji, ne do ta ngritim profesionalizmin e administratës publike, si dhe kapacitetet e saj për të dhënë shërbime të shpejta e cilësore, për shtetin e qytetarët”.

Sipas tij, me Ligjin për Zyrtarët Publik kemi krijuar, ndër të tjera, të gjithë mekanizmat e duhur për:

– Rekrutime të hapura për të gjithë nga jashtë dhe brenda administratës publike;

– Rigjenerim dhe përforcim të kapaciteteve njerëzore (mërgata, praktika për të rinjtë e rejat);

– Hapja e sistemit për përfshirjen e grave dhe vajzave në pozitat drejtuese;

– Përfaqësimin e drejtë të komuniteteve në çdo kategori;

– Mundësi të barabarta për punësimin e personave me aftësi të kufizuara;

– Jetësim i konceptit të karrierës (mundësi ngritje në karrierë për shërbyesit civil duke përfshirë edhe ata nga programet e bursave si Young Cells Scheme);

– Mundësi reale për ngritje në karrierë përmes mekanizmit të mandateve me kohë të caktuar në nivelet menaxheriale;

– Matje e drejtë e performancës dhe cilësisë.

Ndërsa Ligji i Pagave në Sektorin Publik themelon për herë të parë sistemin e unifikuar të pagave bazuar në ligjshmëri dhe transparencë, drejtësi e barazi.

Përmes këtij Ligji, dallimin mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët e kemi nivelizuar nga 20 herë, në vetëm 4.78 herë. Me Ligjin e Pagave të votuar sot nga Kuvendi i Republikës:

– Dallimi në mes të koeficientit më të lartë që është Presidentja, Komandantja supreme, dhe ushtarit të FSK-së është vetëm 3.21 herë, e dallimi në mes të pagës së Kryeministrit dhe ushtarit të thjeshtë është vetëm 2.93 herë.

– Dallimi në mes të Ministrit dhe policit të lartë është vetëm 2.77 herë, ndërsa dallimi mes Kryeministrit dhe policit është 2.88 herë.

– Dallimi në mes të pagës së kreut të shtetit, Presidentes, dhe mjekut specialist është vetëm 1.5 herë.

– Mjeku specialisti në institucionet shëndetësore është në të njëjtin raport me sistemin e drejtësisë në Gjykatën dhe prokurorinë themelore dhe të përafërt me Profesorin e rregullt.

Shkallëzimi i drejtë i raportit të koeficienteve është bërë duke zbatuar parimin që paga më e lartë të jetë jo më shumë se pesë (5) herë më e lartë sesa paga më e ultë, dhe jo më shumë se tre (3) herë më e lartë sesa paga mesatare e përllogaritur sipas Ligjit të Pagave.

Duke falënderuar secilën e secilin që i ka kontribuar këtij procesi jetik për institucionet tona, u sigurojmë që reforma legjislative është vetëm hapi i parë në rrugëtimin tonë për administratë bashkëkohore, profesionale dhe efikase.

/GazetaSinjali/