image Kurti lavde Vitisë “për kontrollimin e shpejtë të variantit Delta”

Politikë

Kurti lavde Vitisë “për kontrollimin e shpejtë të variantit Delta”

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas dorëheqjes së Arben Vitisë si ministër i Shëndetësisë, ka thurur lavde duke shkruar se ai ishte “njeriu më i gjetur për ta menaxhuar përballjen e krizës”, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas Kurtit, arritjet e Vitisë si ministër i Shëndetësisë janë po aq befasuese sa janë edhe të pamohueshme. Sipas tij meritat për menaxhimin e tri varianteve të virusit korona i takojnë Vitisë.

“Arritjet e ministrit Vitia përgjatë dy mandateve të Qeverisë, janë po aq befasuese sa janë edhe të pamohueshme. As një muaj nuk kishte kaluar nga marrja e detyrës në shkurtin e vitit 2020, kur ministri Vitia është dashur të udhëheqë luftën kundër një armiku të rrezikshëm dhe të panjohur: COVID-19. Prej atëherë deri më sot, ministri Vitia ka arritur të menaxhojë dhe të vërë nën kontroll tri variantet kryesore të virusit Corona”, ka shkruar Kurti në Facebook.

“…dhe më së fundi, përballë variantit Delta, i cili ka sfiduar të gjithë botën me mënyrën e shpejtë dhe të pamëshirshme të përhapjes së tij, masat e hartuara nga ministri Vitia, në bazë të shkencës më të fundit në fushën e epidemiologjisë, kanë arritur të vënë nën kontroll valën e këtij varianti më shpejt sesa gati çdo vend i botës që është përballur me këtë variant”, ka shtuar ai./Gazeta Sinjali/