image Kurti: Kosova mbetet aleati më i rëndësishëm i NATO-s

Politikë

Kurti: Kosova mbetet aleati më i rëndësishëm i NATO-s

news image

NATO sot shënon 74 vjetorin e themelimit.

Me këtë rast, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se Kosova mbetet aleati më i rëndësishëm dhe pse nuk është anëtar i Aleancës.

“Ky kapitull historie duhet kujtuar veçanërisht në datën historike të 4 prillit, sikur sot, kur shënohet përvjetori i 74-të i themelimit të NATO-s”, tha Kurti.

Kurti tha se 24 vite më parë, në prag të përvjetorit të 50-të të themelimit të NATO-s, më 24 mars 1999, NATO nisi operacionin ushtarak më të madh në historinë e kësaj aleance deri atëherë.

“Deri më 10 qershor, për 78 ditë rresht, trupat e NATO-s e bombarduan nga ajri Jugosllavinë, me qëllim që të ndalonin spastrimin etnik dhe gjenocidin e ushtruar nga Serbia e Sllobodan Millosheviqit mbi shqiptarët në Kosovë. Fushata ajrore e NATO-s e pasuar nga ndërhyrja ushtarake tokësore, erdhi si një ndërhyrje e shumëkërkuar dhe e shumëpritur që bashkë me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i sollën lirinë Kosovës. Që nga atëherë, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, është partneri kryesor i institucioneve të Kosovës për siguri në vend”, shtoi ai.

“24 vite pas luftës në Kosovë, fundi i së cilës u përshpejtua pikërisht nga NATO-ja, trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, tashmë janë përfshirë në misione paqeruajtëse përkrah trupave amerikane. Teksa po kalon nëpër një fazë të transformimit në ushtri me aftësi komplete ndërvepruese luftarake dhe kapacitete të plota ushtarake, trupat e FSK-së po vazhdojnë të trajnohen sipas kritereve të NATO-s dhe të rriten e aftësohen për luftë moderne, krah ushtrive të vendeve të NATO-s, ku Kosova aspiron të anëtarësohet sa më parë”, theksoi Kurti.

Numri një i qeverisë theksoi se vendi ynë do të vazhdojë të jap kontributin brenda institucioneve të NATO-s.

“Bashkë me kujtimet plot mirënjohje që Kosova ruan për historinë e angazhimit të NATO-s për tu çliruar, Republika e Kosovës do të vazhdojë të ndjekë hapat e nevojshëm brenda institucioneve të saj dhe në arenën ndërkombëtare, drejt anëtarësimit tonë në NATO. Në Defender Europe 21 morëm pjesë me 330 ushtarë, ndërkaq këtë pranverë në Defender Europe 23 do të marrim pjesë me 1.365 ushtarë”, shtoi numri një i qeverisë së Kosovës.

/GazetaSinjali/