Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim deputetin e parlamentit gjerman nga radhët e Partisë Social Demokrate (SPD), Metin Hakverdi.
Gjatë takimit, u bisedua për situatën aktuale politike dhe atë ekonomike si në vend ashtu edhe më gjerë. Kryeministri Kurti e njoftoi deputetin Hakverdi me masat e ndërmarra në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike si përgjigje ndaj inflacionit të importuar dhe në ndihmë të qytetarëve, duke veçuar vendimin e fundit për vendosjen e tavanit të çmimit të naftës.
Kryeministri Kurti dhe deputeti Hakverdi folën gjithashtu për vizitën e Kancelarit Scholz në Kosovë dhe takimin dypalësh në Zyrën e Kryeministrit, si dhe për perspektivën e Ballkanit Perëndimor për integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian. Në këtë drejtim, kryeministri Kurti tha se Republika e Kosovës do të aplikojë për statusin e vendit kandidat të Bashkimit Evropian brenda këtij viti.
Deputeti Hakverdi, anëtar i Bundestagut gjerman që nga viti 2013, e falënderoi për mirëpritjen edhe e përgëzoi kryeministrin Kurti për arritjet në fushën e ekonomisë. Ai shprehu mbështetjen e Gjermanisë për proceset integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Në këtë takim u fol edhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet socialdemokratëve.