Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kontingjenti i parë i vaksinave anti-COVID, sado i vogël, ka sjellë shpresë në Kosovë.
Kurti e ka thënë këtë gjatë takimit me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovës, Carin Lobbezoo.
“Ambasadorja Lobbezoo e uroi kryeministrin Kurti për përqindjen e lartë të fitores në zgjedhje dhe për marrjen e detyrës. Ajo e përgëzoi edhe për shembullin inkurajues që u ka dhënë qytetarëve me marrjen e vaksinës kundër Covid-19. Kryeministri Kurti tha se sado që në sasi të vogël kontingjenti i parë i vaksinave ka sjellë shpresë në Kosovë”, thuhet nga Kryeministria.
“Kryeministri Kurti dhe ambasadorja Lobbezoo biseduan edhe për gjendjen e agrokulturës në Kosovë dhe që të dy u pajtuan se duhet një qasje e re ndaj prodhimit vendor dhe stimulimit të prodhuesve. Kryeministri Kurti tha se duhet bashkëpunim më i ngushtë i institucioneve të larta arsimore me fermerët në mënyrë që të rritet produktiviteti”.
Ambasadorja Lobbezoo e njoftoi Kurtin projektet që Qeveria e Holandës është duke i implementuar në Kosovë në fushën e blegtorisë dhe prodhimit të qumështit.
Të dielën ka ardhur kontingjenti i parë prej 24 mijë vaksinave të AstraZenecas nëpërmjet mekanizmit COVAX.