Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka konfirmuar takimin e tij me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Kurti këtë e konfirmoi gjatë takimit me kryeministrin e Holandës Mark Rutte dhe atë të Luksemburgut, Xavier Bettel në konferencë.
Në konferencë, Kurti tha se ka kërkuar që t’i ndihmojnë Kosovës që të anëtarësohet në NATO dhe në BE.
Më tutje, kryeministri përmendi edhe çështjen e dialogut me Serbinë. Ai tha se dëshirojnë zgjidhje evropiane dhe zbatim të marrëveshjeve.
“Në lidhje me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, kam theksuar se Kosova është e interesuar për marrëdhënie të mira fqinjësore. Ne dëshirojmë zgjidhje evropiane dhe për këtë e kemi marrëveshjen bazike të 27 shkurtit dhe aneksin e zbatimit të 17 marsit, për të cilën dëshirojmë që të zbatohet në plotësi, pa vonesa dhe pa kushte”, deklaroi kryeministri.