Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka reaguar pas publikimit të raportit të ekspertizës zvicerane për vdekjen e Astrit Deharit.
Sipas Kurtit tani nevojitet një hetim i ri dhe i pavarur jo vetëm mbi faktet dhe provat materiale, por edhe rrethanat fizike dhe procesi i deritanishëm hetues, shkruan Gazeta Sinjali.
“Ekspertët e mjekësisë ligjore nga Instituti i Lozanës në Zvicër e kanë përjashtuar mundësinë e vetëvrasjes së Astrit Deharit. Raporti i tyre është shkencor dhe i hollësishëm për nga metoda dhe të gjeturat. Ata kanë konstatuar përfshirjen e personi/ave të tretë. Nevojitet hetim i ri, i pavarur e profesional, për ta ndriçuar plotësisht këtë krim. Jo vetëm mbi faktet e provat materiale. Sepse, duhen hetuar e shqyrtuar rrethanat fizike dhe të tjera të krimit, si dhe procesi i deritanishëm hetues. Sepse, duhen hetuar njerëzit përgjegjës, çka kanë bërë, si e kanë bërë dhe çka nuk kanë bërë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Lideri i LVV-së thotë se drejtësia duhet të vihet në vend për këtë vdekje, pasi kjo sipas tij nuk ka alternativë.
“Krimit mbi Astritin në duar të shtetit para tri vjetëve i është shtuar padrejtësia e shtetit tash e tri vjet. Drejtësia për Astritin nuk ka alternativë. Është në pyetje asgjë më pak se e drejta për jetë e qytetarit të Republikës”, ka shkruar Kurti. /Gazeta Sinjali/