image Kurti kërkon nga AKP-ja të pezullojë vendimet për privatizim, shitje dhe qiradhënie

Sociale

Kurti kërkon nga AKP-ja të pezullojë vendimet për privatizim, shitje dhe qiradhënie

news image

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i ka kërkuar Bordit të drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) që të pezullojë çdo vendimmarrje që ka të bëjë me privatizimin, tjetërsimin dhe çfarëdo veprimi tjetër që lidhet me ndërmarrjet shoqërore siç janë qiradhëniet apo shitjet pa tender publik.

“Ashtu siç jeni në dijeni, Qeveria e re e ka filluar punën këtë javë dhe programin tonë qeverisës do ta hartojmë së shpejti. Në këtë program adresojmë edhe veprimtarinë, kompetencat dhe funksionon e AKP-së”, është thënë në letrën që Kurti u ka dërguar këtyre zyrtarëve, njofton rel.

Në mbledhjen e 25 marsit, në agjendë të AKP-së, kanë qenë një mori pikash duke përfshirë qiradhënie, shitje dhe çështje tjera të likuidimit.

Takimi i së enjtes është zhvilluar pavarësisht pse AKP-ja kishte njoftuar më 23 shkurt se pas mbajtjes së disa takimeve mes anëtarëve të menaxhmentit të këtij institucioni, kishte marrë vendim që të mos vazhdonte me valët e shitjeve deri në krijim të institucioneve të reja, pas zgjedhjeve të mbajtura më 14 shkurt.

“AKP, në mënyrë të vazhdueshme ka qenë e hapur dhe bashkëpunuese me secilën qeveri, zyrtarët e lartë të institucioneve qendrore dhe lokale sipas mandatit të saj ligjor. Kjo praktikë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke respektuar në plotësisht kornizën ligjore në fuqi dhe obligimet e ndërsjella me institucionet relevante”, pati thënë Agjencia në njoftim.

Gjatë fushatës zgjedhore, Kurti ka thënë se synon të shuajë aktivitetin e AKP-së dhe formimin e një institucioni të ri për çështje të privatizimit. /GazetaSinjali/