Në edicionin e dytë të Forumit të Bashkë-Investimeve dhe Rrjetëzimit “Invest in Prizren” që është hapur sonte, kryeministri Albin Kurti ka ftuar investitorët e huaj dhe nga diaspora që të investojnë në Prizren dhe Kosovë, pasi siç tha ai me qeverisjen e tij nuk kërkohet më ryshfet e haraç si më parë.
Kryeministri Kurti tha po ashtu se vendi tashmë ka stabilitet institucional dhe pasi të përfundojnë zgjedhjet lokale, do të ketë përpara plot katër vjet të fokusimit në ekonomi dhe drejtësi që janë edhe dy shtyllat kryesore.
“E para është stabiliteti institucional, e dyta rendi dhe ligji, e treta infrastruktura e katërta fuqia punëtore. Kosova ka lënguar një kohë të gjatë në shumicën prej këtyre, si pasojë e zhvillimeve të ndryshme brenda vendit çfarë ka bërë që të kemi pak investitorë të huaj. Mirëpo kjo tashmë ka ndryshuar, vendi ka hyrë në një periudhë të stabilitetit politik, me institucione legjitime, me besueshmëri të lartë të dalë nga vota qytetar në procese demokratike. Tash jemi në prag të zgjedhje lokale dhe pasi të përfundojnë ato, do të kemi përpara plotë katër vite të fokusimit në ekonomi dhe drejtësi që janë edhe dy shtyllat kryesore të qeverisjes sonë… E për më shumë tash kemi edhe një qeveri që është e gatshme t’iu ndihmojë bizneseve dhe investitorëve. Koha kur investitorëve u kërkohej ryshfeti për të filluar e harçi në fitim ka marrë fund një herë e gjithmonë”, tha Kurti.
Kryeministri në fjalimin e tij ka respektuar ezanin e ritit fetar në Prizren. /GazetaSinjali/