Kryeministri Albin Kurti për gazetën holandeze NRC ka zbuluar disa informata në lidhje me barrikadat që u ngritën së fundi në veri të vendit.
Ai tha se njerëzit që qëndruan në barrikada u sollën me autobusë nga Serbia dhe se ndër ta kishte edhe persona të maskuar të Brigadës së Veriut, Grupit Wagner dhe Ujqërit e Natës, për të cilat tha se ka foto e video që tashmë janë dërguar në prokurori.
“Njerëzit po sillen me autobusë nga Serbia për të udhëhequr barrikadat. Ne kemi prova se këta janë njerëz të maskuar me shenja të milicisë ruse Wagner, Ujqërit e Natës (një bandë ruse motoçikletash besnike ndaj Putinit) dhe të ashtuquajturës Brigadë e Veriut”, ka thënë Kurti për gazetën NRC, derisa ka shtuar se nuk mund t’i publikojë këto prova meqë “pozicioni nga i cili janë marrë fotot dhe videot mund të tradhtojë burimet tona”.
“Ne do të duhet të vendosim sundimin e ligjit në veri të Kosovës për të trajtuar realisht paligjshmërinë atje.”
Kurti ka folur edhe për prezencën e NATO-s në Kosovë, duke thënë se nëse Aleanca s’do të ishte në vend, “serbët do të na masakronin përsëri”.
Përveç kontrabandës dhe krimit, Kurti ka thënë se thesari i shtetit është i prekur kryesisht nga fakti se askush në veriun e Kosovës nuk paguan për furnizimin me energji elektrike.
“Ne po rrjedhim gjak financiarisht për këtë. Ne i dhamë një licencë kompanisë së tyre të energjisë dhe bëmë një marrëveshje në qershor për ta zgjidhur këtë, por kjo nuk po zbatohet. Kaq i kushton autonomia serbe. Autokratët e shohin bujarinë tonë si dobësi.”