Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë, në një konference për media është shprehur se është i gatshëm që ta heqë masën e reciprocitetit për targat në rast se edhe Serbia zotohet se do ta bëjë një gjë të tillë.
Kryeministri Kurti tha se është i lumtur që kjo masë ka filluar që të zbatohet në Kosovë nga 20 shtatori i këtij viti.
“Në Kosovë nga data 20 shtator ka filluar së zbatuari vendimi i ri për pajisjen me targa të përkohshme për automjetet e Serbisë që hyjnë në Kosovë nga të gjitha pikat kufitare. Vendimi poashtu është duke u zbatuar edhe për sa i përket eliminimet e të të gjitha targave ilegale që kanë qarkulluar në Kosovë që nga paslufta. Jam i lumtur që ky problem i dekadave po merr epilogun e merituar”, ka thënë kryeministri Kurti.
“Jam i lumtur poashtu që shoh përgjigjen pozitive të qytetarëve tanë, serbë lokal të të gjitha komunave të Kosovës për t’u pajisur me targa të përkohshme, teksa Qendrat për Regjistrimin e Automjeteve po punojnë me kapacitete të plota”, ka thënë ai.
Tutje, kryeministri Kurti u bëri thirrje edhe kryetarëve të komunave në veri që të tërheqin kamionët me të cilët po i bllokojnë rrugët drejt pikës kufitare në Jarinje dhe në Bërnjak./GazetaSinjali/