Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka folur për grevën e mësimdhënëseve, të cilën e ka organizuar SBASHK-u në krye me Rrahman Jasharajn, raporton Gazeta Express.
Kurti ka goditur kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jasharajn, duke thënë se s’mund të takohet me të, meqë është rregull që të takohet me kreun e BSKPK-së, Athde Hykollin.
Kreu i Qeverisë gjithashtu ka thënë se liderë të degëve sindikale në të kaluarën kishin krijuar lidhje direkte me politikanë, president, kryeministra e ministra.
I pyetur se a do të ulet me sindikalistët, Kurti ka thënë se është takuar disa herë me Atdhe Hykollin e BSPK-së, derisa ka thënë se kërkesat absurde dhe irracionale nuk kalojnë.
“Ne jemi me mësimdhënësit. Mësimdhënësit duhet të jenë me nxënësit. Ne kemi bërë shumë luftë për shkollë, që ta bojkotojmë me greva. Duhet të fillojë mësimi një orë e më parë. Ju bëj thirrje të gjithë mësimdhënësve të hënën të jenë në mësim. Jemi me mësimdhënësit, e mësimdhënësi për nxënësit. Unë kam takuar disa herë kreun e BSPK-së, z.Atdhe Hykollin. Ndërsa ministrat e mi kanë takuar degët sindikale të BSPK-së. Nëse duam shtet duhet të ketë rregullsi. Unë s’dua të kapërcej kreun e BSPK-së e të takojë liderë të degëve sindikale, sepse ashtu ska rregullsi.
Ka ndodhur ashtu në të kaluarën, kur liderë të degëve sindikale kanë krijuar lidhje direkte me politikan, president e ministra dhe e kanë prishur rregullsinë. Unë jam social-demokrat dhe organizimi sindikal është për të drejtat e punëtorëve. Por kërkesat absurde irracionale, që janë më shumë dëshira arbitrare nuk mund të ecin përpara.
Në përputhje me buxhetin e shtetit ne do të marrim masat tona”, ka thënë Kurti.