image Kurti i tregon ministrit finlandez tri parimet për dialogun me Serbinë

Kosovë

Dialog/ Kurti i tregon ministrit finlandez tri parimet për dialogun me Serbinë

news image

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka njoftuar se ka pritur në takim delegacionin shtetëror nga Finlanda, të udhëhequr nga Ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës, Pekka Haavisto.

Sipas njoftimit në këtë takim u diskutua rreth dialogut me Serbinë, kundërshtimit që Lëvizja Vetëvendosje ia bëri ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit territorial dhe ndikimit rus në rajon.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Kurti theksoi se para së gjithash, duhet të ketë dialog demokratik nga poshtë-lart, me të gjitha pakicat, për temat sociale dhe ekonomike, nëpërmjet të cilave do të realizohet integrimi i tyre në shoqërinë dhe ekonominë e vendit, përveçse në institucione.

“Përtej kësaj, për çfarëdo dialogu, duhet t’i respektojmë tri parime: 1. Nuk do të ketë marrëveshje pa dialog, 2. Dialogu të orientohet rreth të drejtave të qytetarëve e jo mbi shkëmbimin territorial, dhe, 3. Jo dialog me harta, jo presidentet e dy shteteve, por ekspertët”, tha Kurti.

Ministri finlandez Haavisto tregoi qëndrimin pozitiv të Finlandës për procesin e integrimeve evropiane të Kosovës dhe theksoi rëndësinë e madhe të diasporës shqiptare në Finlandë.