image Kurti i shpreh ngushëllime familjes Zymberi

Sociale

Kurti i shpreh ngushëllime familjes Zymberi

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka shprehur ngushëllime familjes Zymberi për ndarjen nga jeta të Muharrem Zymberit, babait të heroit Enver Zymberi.

Kurti përmes letrës ngushëlluese tregon edhe kur është takuar me të ndjerin.

“Me Bacën Rremë jam takuar në vitin 1999, në Burgun e Pozharevcit, ku kemi qenë për një vit bashkë. Jemi takuar shumë herë në vitet pasuese“.

Ngushëllimi i plotë i kryeministrit Kurti:

“Me Bacën Rremë jam takuar në vitin 1999, në Burgun e Pozharevcit, ku kemi qenë për një vit bashkë. Jemi takuar shumë herë në vitet pasuese.

Më 29 maj 2021, Baca Rremë bashkë me vajzën Shyhrete Zymberi-Brahimi dhe djalin Çlirimin, i cili i shërben vendit si pjesëtar i Policisë së Kosovës, më patën vizituar në zyrë.

Sivjet u patëm takuar edhe në Dubovc të Vushtrrisë, më 26 korrik, në 10 vjetorin e rënies së Enver Zymberit, i cili dha jetën në krye të detyrës si pjesëtar i forcave speciale të Policisë së Kosovës.

Pas homazheve dhe vendosjes së luleve të freskëta te varri i Enverit, pata vizituar edhe familjen Zymberi.

Baca Rremë jetoi me ndjenjën e lartë të patriotizmit, me të cilin i ushqeu e rriti edhe pasardhësit e tij, që me nder kontribuan e vazhdojnë të kontribuojnë për Republikën e Kosovës.

Jeta dhe veprimtaria e tij, ishte dhe do të mbetet frymëzim për të gjithë ata që lartësojnë vlerat e kombit dhe i mishërojnë ato në punë e angazhim për atdheun.

Ai ishte shembulli i njeriut atdhedashës, trim e i qëndrueshëm, punëtor dhe dashamirës, me përkushtim të pakursyer për Kosovën. Të tillë do ta kujtojmë përherë”.

Muharrem Zymberi ishte babai i Enver Zymberit, i cili u vra në vitin 2011 gjatë aksionit të policisë në veri të vendit.

Në mëngjesin e 25 korrikut të vitit 2011, ROSU ishte nisur drejt pikave kufitare në veri të Kosovës në përpjekje për t’i marrë nën kontroll ato. Por, ROSU hasi në pengesat e serbëve në veri, ku gjatë këtij aksioni nga strukturat ilegale serbe ishte vrarë polici Enver Zymberi./GazetaSinjali/