image Kurti i numëron orët mbrapsht për gjobat: Nuk janë më 48, i kemi vetëm 36 orë

Politikë

Kurti i numëron orët mbrapsht për gjobat: Nuk janë më 48, i kemi vetëm 36 orë

news image

Të papërshtatshme e ka quajtur ditën e djeshme kryeministri Albin Kurti, derisa thotë se janë duke bërë përpjekje maksimale që të arrihet marrëveshja për targat ilegale dhe për zotimin e Serbisë që të përkushtohet drejt marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve.

Derisa foli për rëndësinë e leximit, para rinisë së Prizrenit, Kurti theksoi se është i domosdoshëm korrigjimi i gabimit të shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili, sipas tij braktisi diskutimin për normalizim të marrëdhënieve dhe u fokusua vetëm te çështja e targave.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sidomos ambasadori Jeffrey Hovenier është shumë i përkushtuar dhe angazhuar, unë e falënderoj për këtë, roli i tij është gjithmonë konstruktiv, pozitiv dhe kreativ”, tha shefi i ekzekutivit në Prizren, një ditë pas kthimit nga Brukseli.

“Ai po bënë përpjekjet maksimale, pra SHBA-ja, sidomos ambasadori. Ata janë në kontakt me Brukselin, që prej se përfundoi takimi i fundit”, shtoi Kurti para gazetarëve.

Tutje, Kryeministri kosovar tregoi se pas takimit “të tensionuar”, dje në Bruksel, nuk ka komunikuar më me Përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Joseph Borrell.

“Me keqardhje e ritheksoi [se Borrell] e braktisi propozimin franko-gjerman, propozimin e Bashkimit Evropian, duke thënë le të kemi një dakordim për targat”, tha Kurti të martën.

Nuk mjafton dakordimi për targat, ripërsëriti shefi i ekzekutivit kosovar, “ndonëse aty unë kam qenë dakord që faza e dytë e zbatimit të vendimit, jo vendimi i si i tillë, por faza e dytë të pezullohet në kërkim të një zgjidhje sa i përket normalizimit të plotë të marrëdhënieve, deri në marsin e vitit 2023”.

T’i japim shanse pa gjoba marrëveshjes, por jo vetëm për targa dhe ta flakim tutje çështjen e bisedimeve për marrëveshje përfundimtare, shtoi Kurti.

“Korrigjimi i gabimit të zotëri Borrell është i domosdoshëm, ai është gabim i madh që të braktiset biseda për normalizim të marrëdhënieve dhe liderët të flasin dhe dakordohen për targa, që dorën në zemër as ai në Serbi dhe unë në Kosovë nuk jemi më kompetent”.

Tutje, Kryeministri Kurti gjatë deklarimit të tij porositi shefin e diplomacisë evropiane se afati 48 orësh i shtyrjes së gjobave në Veri, me vendimin që mori mbrëmë pas mesnate, është duke rrjedhur.

Tha se më nuk janë 48 orë, por kanë mbetur ndoshta 36 sosh.

“Përpjekjet i kemi maksimale dhe na nevojitet gjithë mbështetja vendore dhe ndërkombëtare që brenda 48 orëve të vijë me një dakordim. Nuk e kam asnjë sekondë të mendoj se si kjo mos të ketë sukses. Nuk i kemi tashmë as 48 orë, pra i kemi ndoshta 36 orë, prandaj as një sekondë nuk e kam të mendoj se si mund të dështojë kjo gjë”, tha Kurti.

“Ne po i bëjmë përpjekjet maksimale. Unë nuk mendoj se jemi në orët kur duhet të flasim për shtyrje të reja, duhet të flasim për intensitet maksimal që brenda 48 orëve të kemi marrëveshjen siç e synuam në Bruksel, duke mos u kufizuar vetëm te çështjet e targave”.

“Vendorët, ndërkombëtarët, shteti i Kosovës me gjithë institucionet, ambasadorët, Brukseli, Uashingtoni, Parisi, Berlini që të gjithë janë angazhuar që të ketë sukses”, tha kreu i Qeverisë. 

/GazetaSinjali/