Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ka pasur biseda të shumta me ndërkombëtarët dje dhe sot në lidhje me situatën në veri të vendit. Ai tha se është pajtuar për depërshkallëzimin e situatës.
Kurti në një konferencë për media pas takimit me ambasadorët e shteteve të QUINT-it tregoi ofertën e tij për shtensionimin e situatës dhe se po pret përgjigje nga Brukseli.
“Kjo është oferta ime. Dhe unë pres një përgjigje dhe diskutim të mëtutjeshëm me Brukselin për këtë”, tha Kurti.
“Ne shpresojmë që Z. Borrell ta vlerësojë gatishmërinë tonë edhe për vlerësim të përbashkët të sigurisë, edhe për shpalljen e zgjedhjeve të reja”, tha kryeministri.
“Dhe unë nuk kam thënë që unë po e caktoj datën”, shtoi Kurti, duke theksuar se kjo do të vendoset në bashkëpunim me ndërkombëtarët.
Ai njoftoi paraprakisht se dje ka pasur një telefonatë me Borrellin.