Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër demokratit dhe presidentit më të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, duke e uruar këtë të fundit si fituesi i zgjedhjeve atje, shkruan Gazeta Sinjali.
Kurti përmes një postimi në Facebook është shprehur se në emër të Lëvizjes Vetëvendosje i ka shkruar për ta përgëzuar Biden dhe senatoren Harris për zgjedhjen si President dhe zëvendëspresidente në SHBA.
“Gëzohem për fitoren tuaj vendimtare, sidomos për shkak se kjo fitore ka ardhur pas një fushate të gjatë dhe të luftuar me mund. Jo vetëm thellësia dhe përmbajtja e ideve tuaja, por edhe mënyra dinjitoze se si jeni sjellë si kandidat, i kanë dëshmuar gjithë botës mirësjelljen tuaj njerëzore, si dhe një respekt të mirëfilltë për normat e ligjërimit demokratik”, thuhet në letrën e Kurtit ndaj Biden.