image Kurti flet rreth mundësisë që Rusia të zgjerojë luftën në Ballkan - Sinjali

Kurti flet rreth mundësisë që Rusia të zgjerojë luftën në Ballkan

news image

Kryeministri i Kosovës detajon frikën e ngjallur nga aleanca mes Moskës dhe Serbisë në intervistën e tij të dhënë për prestigjozen franceze “Le Monde”.

I pyetur se pse e shqetësojnë lidhjet me rusëve dhe serbëve, Kurti tha se ata janë shumë më të fortë nga sa e imagjinojnë njerëzit, në të gjitha fushat, së pari në ekonomi, veçanërisht në energji.


Gazprom zotëron 56% të industrisë së naftës në Serbi dhe 51% të kapacitetit të depozitimit të gazit. Në media, agjencia Sputnik drejton operacionet e saj për Ballkanin Perëndimor nga Beogradi; dhe mjafton të shikosh titujt e gazetave serbe për të kuptuar se kush i drejton realisht. Për sa i përket inteligjencës, Rusia mban të ashtuquajturën “qendër humanitare” në qytetin e Nishit“, ka thënë kryeministri Kurti.

Ai tutje vazhdoi: “Ekziston edhe kjo shifër marramendëse: 151 deputetë të Kuvendit të Serbisë (60% e deputetëve) janë pjesë e grupit të miqësisë serbo-ruse. Edhe në Kosovë i kemi këto grupe të miqësisë parlamentare me vende të ndryshme, por asnjëherë nuk i kalon dymbëdhjetë persona“.

Kurti po ashtu ka folur edhe për atë se a ndikohen njejtë edhe minoriteti serb që jetojnë në Kosovë. Kreu i ekzekutivit ka thënë se fatkeqësisht edhe në Kosovë ka organizata të së djathtës ekstreme serbe që njërën këmbë e kanë në Beograd dhe tjetrën në Moskë.

Në pyetjen se a i nënshtrohet të njëjtit ndikim edhe minoriteti serb në territorin e Kosovës, Kurti tha: “Vërej se Putin e përmendte një herë në muaj “precedentin” e Kosovës [ndërhyrja e NATO-s në 1999], tani e bën çdo dy ditë për të justifikuar politikën e tij hegjemoniste në Ukrainë, e ndoshta diku tjetër“.

Mund ta quajmë një pushtim rus ose një agresion ushtarak. E gjithë kjo është e vërtetë. Mund të flasim edhe për imperializmin rus. Por ajo që shoh vetë është edhe fashizëm“, vijoi Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se kreu i Kremlinit është futur në një rrugë qorre dhe se s’do të mund të tërhiqet. Prandaj Kurti thotë se Kosova është e shqetësuar, meqë duket qartë se Putin tenton ta përhapë luftën e tij edhe më tej.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin