image Kurti e quan ndalje të gjakderdhjes financiare anulimin e kontratës 50 milionëshe

Kosovë

Politikë/ Kurti e quan ndalje të gjakderdhjes financiare anulimin e kontratës 50 milionëshe

news image

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një postim në rrjetin social Instagram i ka përmbledhur të gjitha vendimet që i ka marrë qeveria e udhëhequr nga ai në mbledhjen e fundit.

Kurti e ka quajtur ndalje të gjakderdhjes financiare anulimin e vendimit ku kompanisë “Bechtel Enka” do t’i kalonin 50 milionë euro.

“U anulua vendimi i Qeverisë së kaluar ku kompanisë “Bechtel Enka” do t’i kalonin 50 milionë euro. Ka nevojë për kyçje e mbikalim në autostradën e mbyllur, por jo me 50 milionë euro. Mundet ndryshe më mirë e më lirë”, ka shkruar ndër të tjera kryeministri./GazetaSinjali/

Shkrimi i tij i plotë:

Qeveria jonë, dje, mbajti mbledhjen e pestë të saj. Po angazhohemi për jetësimin sa më të mirë e përmbajtësor të tri temave kryesore: drejtësia, zhvillimi ekonomik dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ndalja e gjakderdhjes financiare.

U anulua vendimi i Qeverisë së kaluar ku kompanisë “Bechtel-Enka” do t’i kalonin 50 milionë euro. Ka nevojë për kyçje e mbikalim në autostradën e mbyllur, por jo 50 milionë euro. Mundet ndryshe, më mirë e më lirë.

Dy borde.

Pas shkarkimit të tyre të mëhershëm, i emëruam bordet e përkohshme në Telekomin e Kosovës dhe Ndërmarrjen “Trepça” Sh.A. Këto dy borde të përkohshme, sipas ligjit për Ndërmarrjet Publike, do të jenë në funksion deri në ardhjen e një bordi të ri apo deri në mesnatën që bëhen gjashtë muaj prej ditës së hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Sanksionet.

Në listën e sanksioneve të OKB-së e BE-së ndodhet një kompani e cila ka eksportuar drejt vendit tonë dhe ku tash e tri javë po mbahet në Doganën e Kosovës. Kompanisë “Sabalan Company – Iran” e cila figuron si entitet nën sanksione si kompani mbulesë e “Shahid Hemat Industrial Group – SHIG”, me vendim unanim të Qeverisë së Republikës së Kosovës iu vendosen sanksione edhe për vendin tonë.