image Kurti: Është e domosdoshme të ketë media të lira që kërkojnë të vërtetën

Politikë

Kurti: Është e domosdoshme të ketë media të lira që kërkojnë të vërtetën

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e mbajtur sot me bordin e Aleancës Progresive, ka thënë se është e domosdoshme të ketë media të lira që kërkojnë të vërtetën, nxjerrin në pah korrupsionin dhe skandalet dhe mbajnë përgjegjës përfaqësuesit e zgjedhur, transmeton Gazeta Sinjali.

Tutje ai ka shtuar se krahas mediave është i nevojshëm edhe arsimimi i mirë në vend.

“Demokracia në të gjithë botën është nën kërcënim nga autokratët në rritje që keqpërdorin instrumentet e demokracisë, si zgjedhjet e lira dhe mediat e lira, për të përhapur kauza të rreme dhe informacione të rreme dhe për të paraqitur një realitet të shtrembëruar sepse i synojnë instinktet dhe impulset më të këqija të njerëzimit. Kjo nuk është diçka e re. Ne kemi qenë dëshmitarë të valëve dhe fushatave të tilla më parë, por ajo që është e re janë mjetet që i kanë në dispozicion, siç janë rrjetet sociale dhe paaftësia jonë për t’u bashkuar dhe për ta mbrojtur demokracinë”, ka thënë Kurti, njofton ZKM-ja.

Kurti ka thënë se liria e mediave nuk nënkupton lirinë për të përhapur lajme të rreme. Sipas tij rritje autokracive ka ndikuar që mediat të kontrollohen nga to.

“Nëse vitet e fundit na kanë mësuar diçka, ajo është se liria e mediave nuk nënkupton lirinë për të përhapur lajme të rreme ose për të sjellë vazhdimisht fakte alternative që shtrembërojnë realitetin dhe mashtrojnë njerëzit. Në fakt, numri në rritje i autokracive në botë është gjithashtu për shkak se ato kanë një kontroll të fortë ndaj mediave ose i kontrollojnë ato plotësisht pasi të zgjidhen. Ne duhet të punojmë së bashku sepse nuk mund të fitojmë të izoluar dhe të vetmuar”, ka shkruar Kurti.

/Gazeta Sinjali/