image Kurti emëroi në "kohë rekord" ministrin për Komunitete dhe Kthim, MSH-ja ende "pa zot shtëpie"

Politikë

Kurti emëroi në “kohë rekord” ministrin për Komunitete dhe Kthim, MSH-ja ende “pa zot shtëpie”

news image

Ju deshtën jo më shumë se tri javë për ta emëruar ministrin e ri për Komunitete dhe Kthim. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot vuri në krye të ministrisë, Nenad Rashiq. Kjo Ministri mbeti pa shef të saj, pasi Goran Rakiq më 5 nëntor dha dorëheqje nga posti i ministrit në shenjë revolte për vendimin e Qeverisë së Kosovës për targat, shkruan Gazeta Sinjali.

Mirëpo, Ministria për Komunitete dhe Kthim nuk ishte e vetmja pa “zot shtëpie”. Janë bërë 56 ditë prej kur Ministria e Shëndetësië ka mbetur me ushtrues detyre. Ish-ministri i MSH-së, Rifat Latifi kishte dhënë dorëheqje më 6 tetor.

“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, dhashë dorëheqje nga Ministria e Shëndetësisë, ku shërbeva për 10 muaj e gjysmë si Ministër”, kishte thënë Latifi.

Specialisti i Kirurgjisë kishte deklaruar se ka qenë e vështirë marrja e vendimit për dorëheqje.

“Ky ka qenë vendimi më i vështirë që kam marrë ndonjëherë në jetën time”.

“Ministri i udhëtimeve”,  gjatë kohës sa ka qenë në krye të detyrës, njihej për udhëtime të shpeshta në vende të ndryshme të botës.

Për nëntë muaj (janar-shtator 2022), Latifi kishte shpenzuar nga kuleta e shtetit 2 mijë e 990 euro për bileta të aeroplanit për gjashtë udhëtime.

Më 14 shtator, ekzekutivi në krye me Albin Kurtin, ka themeluar një komision ekzekutiv për shëndetësinë.

Ndonëse roli i Latifit si ministër i Shëndetësisë vihej në pikëpyetje, pas krijimit të Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi, të kryesuar nga kryeministri Kurti, në kuadër të Qeverisë së Kosovës, ish-ministri Latifi ishte shprehur se kjo nuk e zbeh aspak rolin e tij, përkundrazi e fuqizon.

Kryeministri Kurti me të themeluar këtë komision, tha se gjendja në shëndetësi është tepër e rëndë për ta menaxhuar vetëm ministri.

Ai kishte shtuar se qytetari në rend të parë e ka shëndetin, e sipas tij, nuk do të mungojë përkushtimi personal në asnjë moment.

Çështjet e shëndetësisë ishin vendosur të parat në dy kategoritë e para të Programit të Qeverisë Kurti II, te prioritetet dhe planet.

Në pjesën ku flitet për planin, kërkohet “reformim i sektorit të shëndetësisë dhe “Vizioni jonë për shëndetësinë është popullata e shëndetshme. Këtë synojmë ta arrijmë nëpërmjet ofrimit të shërbimeve shëndetësore cilësore dhe të sigurta për të gjithë qytetarët e vendit”, thuhet në Programin Qeverisës Kurt i ll.

Ky dikaster vazhdon të jetë i lënë anash ku me problemet e pazgjidhura ndër vite vazhdojnë të përballen pacientët.

/GazetaSinjali/