image Kurti: Emancipimi nuk duhet të jetë vetëm i grave për gratë, por edhe i burrave për gratë

Kosovë

Urimi/ Kurti: Emancipimi nuk duhet të jetë vetëm i grave për gratë, por edhe i burrave për gratë

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me rastin e Ditës së Gruas ka thënë se emancipimi s’duhet të jetë vetëm i grave për gratë, por edhe i burrave për gratë.

“Dita ndërkombëtare e Gruas, 8 Marsi, është dita e cila na e përkujton që për çdo ditë ka shkelje të të drejtave, ka shfrytëzim të gruas”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai shton se barazia gjinore nuk duhet të jetë vetëm në letër, por të jetë e pjesë e përditshme e jetës praktike e të gjithë neve.

“Këtë vit e kemi bërë një hap para. Për herë të parë në institucione të vendit ka pjesëmarrje më të madhe të grave. Sigurisht që nuk është e mjaftueshme. Barazia gjinore nuk duhet të jetë vetëm në ligje e rregullore të cilat mbesin tekste në letër, por pjesë e përditshme e jetës praktike e të gjithë neve”, ka shkruar ai.

Sipas tij emancipimi për barazinë gjinore duhet të fillojë qysh me edukimin e hershëm të fëmijëve.

“Të drejtat, e kuotat që predikohen nga lart, s’i bëjnë kurrë njerëz (të barabartë) ata që mjerimi e papunësia i redukton ku më pak e ku më shumë në nocione biologjike, meshkuj e femra. Premisa e emancipimit është mundësia për punësim dhe drejtësia e garantuar. Emancipimi nuk duhet të jetë vetëm i grave për gratë, por edhe i burrave për gratë. Dhe, duhet të filloj qysh me edukimin e hershëm të fëmijëve për barazinë gjinore”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij janë më punëtore, por kanë më pak vende pune, e kjo është një padrejtësi e madhe shoqërore.

“Jo vetëm te ne, mbase sidomos te ne, gratë janë më punëtore, punojnë më shumë, por ja që kanë më pak vende pune. Kjo është një padrejtësi e madhe shoqërore në Republikën e Kosovës. Me qeverisjen e re, me ndryshimet që janë bërë me 6 tetor dhe me 3 shkurt, ne e kemi shansin që këtë ta përmirësojmë edhe në mënyrë institucionale e legjislative, por gjithashtu edhe me shembullin tonë të përditshëm. Urime 8 Marsin”, ka shkruar Kurti. /Gazeta Sinjali/