Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, përmes një video-takimi, kanë kërkuar nga qytetarët e besimit islam që të shmangin vizitat tradicionale familjare për nder të Fitër Bajramit, për shkak të rrezikut të shpërndarjes së koronavirusit.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në këtë takim online, Kurti e Tërnava kanë folur për veçantinë e këtij muaji të Ramazanit, që kaloi nën masat e izolimit për shkak të koronavirusit.
“Ky muaj i shenjtë për myslimanët këtë vit ka qenë edhe më i veçantë. Gjatë tij, përpos vetëpërmbajtjes nga ushqimi dhe pija, dhe solidaritetit me ata në nevojë, është paraqitur nevoja edhe për përmbajte kolektive ndaj masave të Qeverisë dhe udhëzimeve të ekspertëve shëndetësorë për t’iu shmangur grumbullimit të turmave në hapësira të mbyllur dhe vizitave familjare, në mënyrë që të parandalohet përhapja e infeksionit me COVID-19. Myftiu Tërnava tha se respektimi i institucioneve dhe profesionalistëve të fushës është parim fetar kurse mbrojtja e shëndetit publik është obligim i atillë. Në shërbim kësaj, Kryeministri në detyrë Kurti dhe Myfitu Ternava përsëritën thirrjen drejtuar qytetarëve që t’i shmangin vizitat tradicionale familjare në nder të Fitër Bajramit pasi që virusi vazhdon të jetë në mesin tonë. Sipas ekspertëve shëndetësorë, përhapja me e madhe e virusit bëhet pikërisht gjatë vizitave familjare, në ambiente të mbyllura, ku ndërveprimi fizik është i afërt”, thuhet në komunikatën e qeverisë në detyrë.
Deri tani, në Kosovë janë regjistruar 1025 raste me koronavirus. Prej tyre 29 kanë vdekur e 782 janë shëruar. Kurse, si masë preventive për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së koronavirusit, qeveria tani në detyrë më 16 mars të këtij viti vendosi për mbylljen e xhamive./Gazeta Sinjali/