Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka pritur në takim kryetarin e Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Nenad Çanak dhe tema kryesore e takimit ishte çështja e personave të pagjetur nga lufta në Kosovë, transmeton Gazeta Sinjali.
Kryeministri Kurti dhe politikani opozitar në Serbi u pajtuan se Serbia duhet t’i hapë arkivat dhe të japë informacione për varrezat masive që dyshohet se ndodhen në territorin e saj.
Kryeministri Kurti tha se janë 1 mijë e 632 persona që konsiderohen të zhdukur dhe qeveria që ai udhëheq do të angazhohet maksimalisht për të gjithë të pagjeturit, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike.
Zyra e Kryeministrit njofton se në këtë takim u diskutua për nevojën e forcimit të socialdemokracisë në rajon, dialogun e ri për statusin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që bazohet në barazi, siç është edhe njohja e ndërsjellë.
Çanak citohet ta ketë njoftuar kryeministrin Kurti me situatën politike në Serbi, ngufatjen e zërave të mirëfilltë opozitarë dhe të mediave nga pushteti aktual.
Politikani opozitar, Çanak, tha se i ka marrë djalin dhe nipin për vizitë në Kosovë, që të shohin nga afër realitetin në të cilin jetojnë serbët dhe shqiptarët, sepse politika shtetërore, sipas tij, nuk po ia paraqet të vërtetën popullit në Serbi./Gazeta Sinjali/