image Kurti e harron bashkimin kombëtar, thirret vetëm në bashkëpunim me Shqipërinë

Kosovë

Politikë/ Kurti e harron bashkimin kombëtar, thirret vetëm në bashkëpunim me Shqipërinë

news image

Deri para pak kohesh lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e kishte gojën plotë bashkim kombëtar, por me futjen e drejtpërdrejt në jetën institucionale ai hapur ka ndryshuar diskursin në këtë temë dhe këtë po e dëshmon në vazhdimësi.

Kurti tanimë nuk po thirret në bashkim kombëtar por në bashkëpunim me Shqipërinë.

Gjatë një tubimi në Tiranë në kuadër të fushatës për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit në Kosovë, Kurti theksoi se Vetëvendosje në drejtim të Qeverisë së Kosovës do të synojë bashkëpunim shumë më të madh me Tiranën.

“Me Shqipërinë synojmë bashkëpunimin, nëse do të mungojë atëherë do të ketë sfidim. Nuk është e pranueshme që dy shtetet e një kombi të mos jenë të bashkuara as sa shtetet e BE-së”, tha Kurti.

Kurti ka folur edhe për presionin ndërkombëtar për heqjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe, ndërkaq ka thumbuar politikanët e tjerë lidhur me këtë temë.  

“Politikanët në Kosovë ankohen gjithnjë për trysni nga ndërkombëtarët, unë s’jam ankuar asnjëherë. Tek unë ndërkombëtarët nuk kanë bërë asnjëherë trysni. Të them të drejtën jam pak kureshtar sepse dua të di si duket kjo trysni. Ne takohemi, por nuk na kanë bërë trysni. Vijnë na dëgjojnë… Unë besoj se rezistenca i paraprinë trysnisë”, tha Kurti, duke aluduar se trysnia e ndërkombëtarëve është më e madhe aty ku rezistenca është me e vogël.

“Pranvera shqiptare fillon nga Kosova”, është quajtur nisma e Qendrës së Vetëvendosjes në Tiranë që synon të angazhojë qytetarë të Shqipërisë në zgjedhjet e Kosovës./Sinjali/