Kryeministri i vendit, Albin Kurti, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas – 8 Marsit, në seancën ku po diskutohet mbi pabarazinë gjinore u ka shprehur ngushëllime të gjithë familjarëve që kanë humbur gratë, nënat apo vajzat e tyre.
Kurti ka thënë se nevojitet si institucione të shtetit, por edhe si shoqëri civile, të bashkëpunojnë për krijimin dhe mirëmbajtjen e vatrave të solidaritetit gjinor.
“Gratë duhet t’i ndihmojnë gratë dhe këtu duhet të investojmë të gjithë. Duhet të kemi programe, duhet të kemi kurrikula, të cilat ndihmojnë solidaritetin gjinor”, tha ai.
Tutje ai tha se “është edukim ta dëgjosh, ta shikosh, ta mbështetësh e ta ndjekësh një grua”.
“Jo vetëm përfshirje e inkuadrim të grave, por pjesëmarrje e tyre. Sepse përfshirja dhe inkuadrimi nënkuptojnë kontributin e grave, kurse pjesëmarrja nënkupton edhe fitimin edhe përfitimin që e kanë gratë. Përfshirje dhe inkuadrim po, e nevojshme por e pamjaftueshme. Duhet pjesëmarrje në vendimmarrje”.
Ai tha se duhet një vetëdijesim i përgjithshëm sepse pikërisht se jemi të ndryshëm, duhet të jemi të barabartë.
“Ka një lloj paragjykimi të thjeshtë por shumë të rëndë, se vetëm ata që janë të njëjtë mund të jenë të barabartë. Si shoqëri njerëzore duhet të krijojmë barazi aty ku ka gjëra e njerëz të ndryshëm, jo vetëm ku ato janë identike”.