image Kurti: Do të rekrutojmë policë të rinj dhe do ketë zgjedhje në komunat veriore

Politikë

Kurti: Do të rekrutojmë policë të rinj dhe do ketë zgjedhje në komunat veriore

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova do të rekrutojë policë të rinj për t’i zëvendësuar zyrtarët policorë serbë, që kanë dhënë dorëheqje në veri të vendit.

Kurti ka thënë se Kosova do të rekrutojë policë të rinj dhe se do ketë zgjedhje në komunat veriore ku ish-kryetarët kanë dhënë dorëheqje. Ai ka shtuar se këto çështje i rregullon kushtetuta dhe ligji i vendit.

“Kemi më shumë policë në veri dhe do të rekrutojmë policë të rinj, në mënyrë që t’i kemi të pranishëm në këto zona. Dhe aty ku kryetarët e bashkive kanë dhënë dorëheqjen, nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ne, përveçse të shkojmë në zgjedhje të reja në ato komuna, për të zgjedhur kryetarët e rinj. Unë mund të marr vendime politike në lidhje me marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, por vetëm në lidhje me funksionimin e brendshëm të shtetit. Unë nuk mund të marr vendime sepse është kushtetuta dhe ligji që parashikojnë dhe rregullojnë çdo problem dhe situate”, ka thënë Kurti në një intervistë për Deutsche Welle.

Ndryshe, sot shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka bërë thirrje që Kosova të nis negociatat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ka kërkuar kthimin e serbëve në institucione, pas takimit veç e veç me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Forumin e Paqes në Paris.

“Serbët e Kosovës duhet të kthehen menjëherë në institucionet e Kosovës dhe të rifillojnë detyrat e tyre, dhe Kosova duhet t’i harmonizojë veprimet e saj në targa me marrëveshjet e kaluara të Dialogut dhe të nisë negociatat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa vonesa të mëtejshme. Këto detyrime, të marra në kuadër të Dialogut, mbeten të vlefshme dhe të detyrueshme”, ka kërkuar Borrell.

/GazetaSinjali/