Kryeministri Albin Kurti sot ka biseduar për ofrimin dhe sigurimin e qasjes së barabartë në drejtësi për qytetarët e Kosovës, bashkë me drejtoreshën ekzekutive të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Anita Kalanderi.
Në njoftimin e lëshuar të qeverisë thuhet se në takim ishte edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
“Gjatë takimit u theksua roli i rëndësishëm i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas në ofrimin e ndihmës juridike falas për qytetarët të cilët përballen me kushte të vështira ekonomike. U bisedua edhe për angazhimin shtesë të agjencisë, që pas amendamentit të ligjit, nga fillimi i këtij viti, ofron ndihmë juridike falas edhe për viktimat e dhunës dhe për gazetarët të cilët pengohen gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre”, thuhet në njoftim.
Në takimin e tyre është diskutuar edhe për sfidat me të cilat po ballafaqohet kjo agjenci dhe hapat e nevojshëm dhe angazhimin e përbashkët, për të pasur funksionim sa me të qëndrueshëm të agjencisë, ngritje të cilësisë në rastet e ndihmës juridike, rritjen e fushatave informuese për njoftimin e qytetarëve për të drejtat e tyre dhe shërbimet e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas.