image Kurti: Çështja e të zhdukurve është kryefjala jonë në raportet me Serbinë

Politikë

Kurti: Çështja e të zhdukurve është kryefjala jonë në raportet me Serbinë

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kryefjala në secilin raport me Serbinë është çështja e të zhdukurve, transmeton Gazeta Sinjali.

Kurti bëri thirrje që në të gjitha tryezat që organizohen nga arena ndërkombëtare, pikë së pari nga Serbia të kërkohet hapja e arkivave.

“Në këtë ditë në të cilën ka më shumë ankth se sa pikëllim, meqenëse 1 mijë e 632 persona nga Kosova vazhdojnë të jenë të pagjetur, vazhdojnë të mos e kemi të zbardhur fatin e tyre. Në raportet  e tona me Serbinë, çështja e të zhdukurve është kryefjalë dhe ne nuk mund të pretendojmë që të kemi as të ardhme të qëndrueshme dhe të sigurt nëse nuk i adresojmë çështjet e të kaluarës”.

“Serbia refuzon të ballafaqohet me të kaluarën, bëj thirrje që në të gjitha tryezat që organizohen në arenën ndërkombëtare, pikë së pari nga Serbia të kërkohet hapja e arkivave. Vrasja e shqiptarëve pastaj varrosja e zhvarrosja e tyre në Kosovë, bartja e tyre nëpër varrezat në Serbi, zhvarrimi prej atje, nuk është bërë nga qytetarët e zakonshëm por nga aparati shtetëror”.

Në fund Kurti tha se do të jenë pranë familjarëve të të pagjeturve dhe këtë çështje do ta kenë prioritet. /Gazeta Sinjali/