Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, foli sot para studentëve të SEESOX në Universitetin e Oksfordit dhe pjesëmarrësve të tjerë të këtij diskutimi virtual.
Ai ka theksuar se Qeveria e udhëhequr nga ai e mbështet bashkëpunimin rajonal, por sipas tij, çdo nismë duhet të jetë brenda agjendës dhe ombrellës së Bashkimit Evropian.
Kurti deklaroi se për këtë qëllim, Qeveria e Kosovës e mbështet Procesin e Berlinit.
“Në këtë drejtim, ne kemi propozuar themelimin e një bashkëpunimi të ri rajonal të quajtur Marrëveshja e Evropës Juglindore për Tregti të Lirë – SEFTA. Propozimi ynë synon ta forcojë TPR duke hequr pengesat dhe mosmarrëveshjet në terminologji që pengojnë progresin dhe duke futur institucione të pavarura të cilat mund t’i zgjidhin në mënyrë të paanshme dhe profesionale mosmarrëveshjet ndërmjet palëve.”
“Duhet të ketë një angazhim të rinovuar drejt anëtarësimit në BE për rajonin me një synim të qartë që vë në lëvizje reformat. SEFTA është kontributi ynë modest, por edhe shumë konkret në këtë drejtim. Kështu që unë mendoj se është mjaft e qartë pse ne nuk mbështesim iniciativa të tjera jashtë Procesit të Berlinit dhe jashtë agjendës së BE-së. BE është projekti politik më i rëndësishëm i paqes dhe prosperitetit dhe procesi i veçantë historik që nga Lufta e Dytë Botërore“, citohet të ketë thënë kryeministri Kurti në kumtesën e lëshuar nga Kryeministria.
“Çdo iniciativë tjetër që synon ta replikojë TPR-në ose ta zëvendësojë integrimin në BE nuk është vetëm e tepërt, por edhe me qëllim të keq dhe sigurisht, një devijim nga reformat e vërteta demokratike dhe integrimi në BE; që krijon hapësirë dhe mundësi për akterët keqdashës.”
“Për këtë arsye ne jemi plotësisht të përkushtuar për integrimin në BE. Jemi të përkushtuar ndaj Procesit të Berlinit dhe TPR-së të cilat janë në linjë me integrimin Evropian. Ne kemi dhënë propozimin tonë, SEFTA i cili është i bazuar në modelin EFTA-EEA ashtu që batica të ngris të gjitha barkat e Ballkanit Perëndimor Gjashtë dhe të mundësoj anëtarësimin tonë në BE brenda përafërsisht një dekade dhe në këtë mënyrë që të mundësojmë BE-në të bëhet Evropë”, ka thënë Kurti./GazetaSinjali/