Projektligji mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e vitit 2023, që parashihet të ketë vlerë mbi 3.2 miliardë euro u miratua në Kuvendin e Kosovës.
Me 65 vota pro, Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot ndarjet buxhetore të buxhetit për vitin 2023.
Pas miratimit të buxhetit, ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka thënë se me 3.2 miliardë euro, ky buxhet jo vetëm që është më i larti ndonjëherë por edhe më gjithëpërfshirësi.
Më poshtë gjeni postimin e plotë nga Kurti:
Të dashur qytetarë,
Me 65 vota për, Kuvendi i Republikës së Kosovës e votoi Buxhetin për vitin 2023.
3.2 miliardë është buxheti i Republikës sonë për vitin e ardhshëm, e që është jo vetëm më i larti ndonjëherë, por edhe më gjithëpërfshirësi.
Kjo nënkupton 3.2 miliardë euro për arsimin, shëndetësinë, ushtrinë, bujqësinë, ekonominë e kulturën. Mirëpo, mbi të gjitha nënkupton 3.2 miliardë euro për rininë, gratë e grupet e cenueshme të shoqërisë sonë.
Rreth 300 milionë euro për investime në shëndetësi, që të ofrohen shërbime cilësore shëndetësore, si dhe 400 pozita me tepër për stafin shëndetësor.
Rreth 280 milionë euro për arsim, për ndërtimin e çerdheve dhe infrastrukturës së avancuar arsimore, si dhe 743 pozita të reja për stafin arsimor.
Mbi 300 milionë euro për sigurinë dhe ushtrinë, për investime në siguri e armatim modern, si dhe 300 pozita të reja për Policinë.
Rreth 90 milionë euro për bujqësinë, për të vazhduar e për të rritur mbështetjen për fermerët tanë, që të sigurohet prodhimi vendor në këtë kohë krize, por edhe prodhimi vendor në afat të gjatë.
Rreth 60 milionë euro për kulturën e sportin për aktivitete e infrastrukturë kulturore e sportive.
Për të siguruar shërbime publike më të mira e mbrojtje të të drejtave të qytetarëve tanë, do të shtohen 240 pozita të reja për inspektoratet.
Përveç këtyre kemi ndarë buxhet edhe për shumë projekte të tjera e premtime tona. Kemi ndarë 60 milionë euro për shtesa për lehona e shtesa për fëmijë, 15 milionë euro për rezervat shtetërore, 20 milionë euro për punësim, 40 milionë euro mbështetje për investime në ndërmarrje publike, e 6 milionë euro për funksionalizim të terminaleve doganore shtetërore.
Shumë nga premtimet tona na është thënë se nuk do të bëhen, e se nuk e kemi buxhetin e mjaftueshëm, mirëpo shtesat për lehona e për fëmijë u bënë, çerdhet po ndërtohen, punësimi po rritet, terminalet po bëhen shtetërore e prodhimi vendor po shumëfishohet. Kështu do të vazhdojmë edhe me premtimet e tjera e me buxhetimin e tyre në vitet e ardhshme.