Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është pritur në takim nga ministri italian i Mrojtjes Lorenzo Guerini dhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi.
Në njoftimin për media nga kjo parti kanë thënë se ministri Guerini e uroi Lëvizjen Vetëvendosje për rezultatin dhe fitoren në zgjedhjet e 6 tetorit.
Kurti citohet ta ketë njoftuar ministrin mbi prioritetet e qeverisë në ardhje për, siç thonë nga kjo parti, ndërtimin e një shteti të së drejtës, të barabartë në mirëqenie e të qëndrueshëm financiarisht. Pasi, sipas VV-së, populli vendosi që mbaroi pritja e gjatë për një qeveri të pakorruptuar dhe punëtore.
Nga Vetëvendosje kanë shprehur falenderim dhe mirënjohje për përkrahjen dhe ndihmën e Italisë për Kosovën për paqe, zhvillim, demokratizim e siguri. Sipas tyre, Italia është edhe fqinji më i madh i Ballkanit perëndimor.
“Bashkëpunimi ynë do të jetë i afërt dhe i sinqertë, si bilateral ashtu edhe për BE e NATO. Prandaj edhe takimet tona do të jenë sa më të shpeshta e sa më konstruktive”, thuhet në njoftim.
Në takim morën pjesë edhe anëtarët e kryesisë së VV-së, Albulena Haxhiu dhe Xhelal Sveçla./Gazeta Sinjali/