image Kurti autorizon Bislimin për t'i marrë 48 milionë dollarë kredi për Kosovën

Kosovë

Pandemia/ Kurti autorizon Bislimin për t’i marrë 48 milionë dollarë kredi për Kosovën

news image

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot ka autorizuar ministrin në detyrë të Financave, Besnik Bislimin për të marrë 48 milionë dollarë kredi nga Banka Botërore me qëllim të luftimit të COVID-19. Një vendim i tillë është marrë në mbledhjen e sotme të Qeverisë.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit në detyrë, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit për media, miratimi i nismës për negocimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës (e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Transferëve) dhe Bankësa Botërore (e përfaqësuar nga Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për financimin e “Projekti emergjent COVID-19 për Kosovën), u bë në mbledhjen e sotme të qeverisë në detyrë, e 29-ta me radhë, e thirrur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

“Sipas kësaj Marrëveshjeje, Asociacioni pajtohet që t’i japë Republikës së Kosovës një kredi, e cila konsiderohet si financim koncesionar në vlerë prej 48 milionë dollarë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Mjetet nga kjo kredi, njpftohet se do të përdoren për parandalimin, detektimin dhe reagimin ndaj kërcënimeve të pandemisë COVID-19 në Kosovë dhe për forcimin e sistemit të shëndetit publik në Kosovë.

Kjo do të realizohet përmes realizimit të objektivave:

–   fuqizimin e kapaciteteve për detektim të hershëm, konfirmim dhe raportim të hershëm të rasteve, gjurmim të kontakteve si dhe raportim e monitorim të tyre;

–   intervenimi në forcimin e sistemit shëndetësor në Kosovë;

–   zhvillimi dhe shpërndarja e informatave, udhëzuesve, trajnimeve dhe prezantimeve të profesionistëve të kujdesit shëndetësor;

Marrëveshja e kredisë, sipas Zyrës së Kryeministrit, parasheh edhe përkrahjen sociale në familje për respektimin e masave të kontrollit të shëndetit publik, mirëmbajtjen e shpërndarjes së pagesave sociale, rritjen dhe zgjerimin e tyre./Gazeta Sinjali/