image Kultivuesit e deleve dhe dhive kërkojnë rritje të subvencioneve

Kosovë

Kultivuesit e deleve dhe dhive kërkojnë rritje të subvencioneve

news image

Shoqata e Kultivuesve të deleve dhe dhive në Kosovë kërkon nga Ministria e Bujqësisë të rrisë vlerën e subvencioneve për krerë për këtë kategori në 30 euro, ndryshe nuk e përjashtojnë mundësinë që të protestojnë dhe të bartin bagëtitë para ndërtesës së qeverisë, transmeton Gazeta Sinjali.

Kryetari i kësaj shoqate, Emin Kolloni, thotë se rritja e subvencioneve për blegtorinë është e domosdoshme edhe për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve që përdorin për kafshët.

Kolloni, që punën me blegtorinë e ka trashëguar nga babai i tij, e që së bashku me dy vëllezërit e tij kanë mbi 2 mijë e 500 krerë delesh, thotë se nëse nuk do të kenë mbështetje nga shteti do të detyrohen të ulin numrin e bagëtive.

“Nga viti i kaluar me ligj ka qenë e rregulluar që vlerën në kokë dele të jetë 20 euro, unë kam kërkuar që vitin aktual të ngrihen duke pasur parasysh pasojat e pandemisë, vlerën e materieve ushqyese që na nevojiten për dimër për kope, ka një ngritje enorme të çmimeve,  ushqimi i kafshëve. Kam kërkuar që vlera këtë vit të jetë 30 euro për kokë dele, mirëpo nuk jam i sigurt se do të shqyrtohet dhe do të merret për bazë. Ne me kryesinë kemi vendosur dhe kemi parashtruar një kërkesë përmes email-it zyrtar të shefes së kabinetit të ministrit ka 15 ditë që e kemi bërë këtë kërkesë dhe nuk kemi marrë asnjë konfirmim për takim dhe do të takohemi me kryesinë e shoqatës dhe do të marrim vendim, që nuk dëshiroj ta them, ndoshta edhe për protesta edhe bartje të bagëtive në kryeqytetin e Republikës para institucionit të qeverisë”, thotë ai për KP.

Ai thotë se as shuma prej 30 eurosh nuk mbulon shpenzimet që i kanë si fermerë, derisa përmend se problem iu shkakton edhe tregtimi i deleve dhe dhive në mënyrë ilegale.

“Ne prej informalitetit kemi probleme, tregtimi në mënyrë ilegale i njerëzve kontrabandistë me mall të kontabanduar nga shtetet përreth Maqedonia, Shqipëria dhe Serbi kemi kërkuar që të ketë profesionalizëm dhe kontroll rigoroze të kufijve, si dhe mbështetje materiale në subvencione”, thotë ai. /Gazeta Sinjali/