Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për kryetar të Junikut, Agron Kuçi, pasi djali i tij u dërgua në paraburgim si i dyshuar për dallavere me vota, ai i ka akuzuar mediat, Policinë, Prokurorinë e Gjykatat.
Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se ky “skenar i orkestruar nga akterë të caktuar nga kampi i kundërshtarëve politik, po bëhet për të na përbaltosur në kohë fushate të zgjedhjeve lokale”.
“E kam thënë dhe e përsëris me përgjegjësi të plotë morale, juridike dhe penale qe nuk ka kurrfarë veprimi të kundërligjshëm e asgjë penale, përveç se një skenar i orkestruar nga akterë të caktuar nga kampi i kundërshtarëve politik, të cilëve u janë bashkuar disa individ (miq të kampit kundërshtarë, që janë vënë fatkeqësisht në dispizicion të tyre) nga Policia e Kosovës, Sistemi Prokurorial dhe Gjyqësor, për të na përbaltosur në kohë fushate të zgjedhjeve lokale, me të vetmin qëllim; për të denigruar integritetin tim, bashkëpunëtorëve dhe të familjes sime”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se ndaj djalit të Agron Kuçit, Flamur Kuçit, gjykata ka caktuar 1 muaj paraburgim. Përveç tij, lidhur me këtë rast, dyshohet edhe zyrtarja e komunës së Junikut, Blerina Sallaj, e cila është liruar në procedurë të rregullt.
Njoftimi i plotë:
Të dashur bashkëqytetarë të Junikut!
Siç edhe e keni vërejtur edhe ju, ditëve të fundit unë̈ dhe familja ime jemi linçuar, fyer, ofenduar, shantazhuar dhe kërcënuar nga disa media të sponsorizuara e të financuara nga kundërshtarët e mi politik dhe qarqe të caktuara politike.
E kam thënë dhe e përsëris me përgjegjësi të plotë morale, juridike dhe penale qe nuk ka kurrfarë veprimi të kundërligjshëm e asgjë penale, përveç se një skenar i orkestruar nga akterë të caktuar nga kampi i kundërshtarëve politik, të cilëve u janë bashkuar disa individ (miq të kampit kundërshtarë, që janë vënë fatkeqësisht në dispizicion të tyre) nga Policia e Kosovës, Sistemi Prokurorial dhe Gjyqësor, për të na përbaltosur në kohë fushate të zgjedhjeve lokale, me të vetmin qëllim; për të denigruar integritetin tim, bashkëpunëtorëve dhe të familjes sime.
Me synimin e vetëm për të marrë fitoren tonë, fitoren e qytetarëve të Junikut.
Deklarohem, se këto veprime, vetëm sa na kanë forcuar, jo vetëm mua, por gjithë simpatizantët e qytetarët bujarë të Junikut, në rrugën tonë, për të dalur triumfues, sepse fitorja nuk arrihet me shantazhe, sulme linçuese, ofendime e fushatë të ndyer!
Fushata bëhet në Junik, dhe për Junikun, ndërsa ne më së miri e njohim njëri tjetrin, ua dimë vlerat njerëzore, intelektuale, familjare e patriotike gjithësecilit prej nesh!
Qytetarët e nderuar të Junikut na njohin më së miri, më mirë se çdo kush tjetër!
Para së gjithash ne jemi bashkëvendas, do jetojmë me nder në Junikun tonë edhe pas datës 14 nëntor.
Unë ftoj qytetarët e Junikut, Degën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Junik, për një fushatë të qetë, shumë të ndershme, të qytetëruar e demokratike, ashtu siç është në nderin, fisnikërinë dhe traditën Junikase.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.