Kryetari i Komunës së Obliqit. Xhafer Gashi, ka ndarë pagën e tij të muajit prill për t’ua dhuruar familjeve në nevojë, shkruan Gazeta Sinjali.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Gashi përmes një postimi në Facebook, në të cilin u ka uruar bashkëqytetarëve të tij fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
“Në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit, më lejoni që të ju uroj këtë muaj të sakrificës e solidaritetit duke ju dëshiruar agjerim të pranuar nga Zoti i madhërishem. Situata në të cilën ndodhemi, nuk është aspak e lehtë për shumicen prej nesh! Andaj, që të lehtësohet kjo gjendje sadopak, kam ndarë pagën time të muajit prill, për familjet në nevojë që sofra e tyre të jetë e begatshme dhe e mbushur me gëzime në këtë muaj feste”, ka shkruar ai.
Gashi u ka premtuar qytetarëve të komunës që au udhëheq se do të jetë në shërbim të tyre dhe nga ata kërkon vetëm të qëndrojnë në shtëpi.
“Do të jemi bashkë në çdo sfidë, me përkushtim të plotë do jemi në shërbimin e secilit prej jush, në përmbushjen e kërkesave tuaja, për ju kemi vetëm një kërkesë të vazhdoni të qëndroni në shtëpi, në mënyrë që shumë shpejt të gëzohemi së bashku”, ka shkruar i pari i Obiliqit.
Kujtojmë që deri tani në Komunën e Obiliqit është konfirmuar vetëm një rast i prekur me koronavirus nga 630 sa janë konfirmuar gjithsej në vend. /Gazeta Sinjali/