image Kryetari në detyrë i Podujevës thotë se duhet futur në karantinë familja e të prekurit me koronavirus

Kosovë

Shëndetësi/ Kryetari në detyrë i Podujevës thotë se duhet futur në karantinë familja e të prekurit me koronavirus

news image

Një qytetar i Podujevës është infektuar nga koronavirusi, këtë e ka konfirmuar vetë ministri i Shëndetësisë Arben Vitia.

Kryetari në detyrë i Podujevës, Nexhmi Rudari ka thënë për Gazetën Sinjali se nuk e dinë ende se cili qytetar është prekur nga virusi, por ai ka njoftuar se do të izolohet familja dhe personat me të cilët i infektuari ka pasur kontakt.

“Tani saktësisht nuk e dimë, nuk e kemi zyrtarisht informatën për cilin qytetar bëhtë fjalë. Presim. Unë sa bisedova me drejtorin e QKMF-së në Podujevë, po presim me e marrë informatën e saktë për cilin qytetar bëhet fjalë me e dërgua një ekip, ndoshta duhet me e shti në karantinë të gjitha familjen. Me e pa nëse u dal në publik në ndonjë dasmë”, ka thënë Nexhmi Rudari për Gazetën Sinjali.

Edhe drejtori i QKMF-së, Fahri Llugaliu për Gazetën Sinjali ka thënë se janë në pritje të identifikimit të personit.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 10 milionë euro për t’i bërë ballë virusit që është përhapur në shumicën e vendeve të botës. Sot është njoftuar se Qeveria ka vendosur të shtyjë pagesat e kësteve të kredisë dhe ka marrë edhe masa tjera për t’u përballur me këtë situatë.

Koronavirusi ka prekur shumicën e vendeve të Europës përfshirë edhe vendet e rajonit, si Shqipëria, Maqedonia e Serbia. Koronavirusi nisi në Wuhan të Kinës ku fillimisht virusi ishte përcjell nga shtazës e më vonë kaloi edhe te njeriu.

 Ende s’është gjetur vaksina me të cilën do të parandalohej shpërndarja e virusit. Për t’u mbrojtur nga ky virus kërkohet të mos kini kontakte me njerëz, të mos qëndroni në ambiente të mbyllura dhe t’i kushtoni kujdes higjienës, duke përfshirë larjen e shpeshtë të duarve. Deri më tash, shumica e të prekurve me koronavirus janë shëruar. Kanë pasur probleme vetëm të moshuarit dhe ata që kanë pasur edhe më herët probleme shëndetësore./Gazeta Sinjali/