Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka akuzuar Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, se i ka vonuar 6 ditë rezultatet për koronavirus të njërit prej personave që rezultoi pozitiv në këtë komunë.
“Rasti i parë ka ardhur nga Norvegjia. Ne si QKMF i kemi dërguar mostrat për analiza me 19 mars por Instituti i Shëndetit Publik nuk i ka bërë analizat deri me datën 25, dhe atë datë kur janë kryer analizat rasti ka dalë pozitiv”, tha ai.
Tahiri thotë se nuk e ka kuptuar pse Instituti i ka vonuar analizat për aq ditë.
“Ndoshta po të ishin bërë me datën 19 kur ne i kemi dërguar analizat, ndoshta do të kishim pasur një izolim më të hershëm. E kuptoj që ndoshta kanë shumë teste por një komoditet i tillë nuk na ka ndihmuar”, ka thënë Tahiri për RTV Dukagjinin.
I pari i Vushtrrisë thotë se komuna do ta përkrahë familjen e prekur me të gjitha mjetet që ka.
“Lutemi të mos ketë edhe raste tjera. Janë dërguar mostra edhe nga dy persona nga Vushtrria, ku njëri ka qenë në aeroplan bashkë me pacientin nga Norvegjia dhe një tjetër”, tha mes tjerash Tahiri./Gazeta Sinjali/