image Kryetari i Vitisë: Nuk kemi ushqim të mjaftueshëm e as maska, na kanë izoluar dyfish

Kosovë

Kryetari i Vitisë: Nuk kemi ushqim të mjaftueshëm e as maska, na kanë izoluar dyfish

news image

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti në një prononcim për Gazetën Sinjali ka thënë se u nevojitet furnizim me ushqim, rroba mbrojtëse dhe materiale të tjera për ta luftuar koronavirusin.  Sipas tij situata është stabile në Viti.

“Ushqim ka, por jo mjaftueshëm, pasi jemi në karantinë, mos të kishim qenë në karantinë nuk kishte me qenë shumë problem. Kjo furnizimin e vështirëson. Qet jemi duke e mbajt situatën jemi duke u mundu. Furnizim s’kemi pas. Jemi gjende me forca vetanake, nuk na kanë pru për besë. Për të martën na kanë thanë, por s’na kanë pru”, ka thënë Sokol Haliti për Gazetën Sinjali.

Ai ka thënë se izolimi i Vitisë është i pajustifikueshëm pasi u ka shkaktuar vështirësi në furnizim me ushqim dhe gjëra të tjera. Haliti ka treguar se Kllokoti gjendet më afër fshatit Stubëll dhe nuk është izoluar, ndërsa sipas tij, Vitia është izoluar dy herë.

“Çka është ma e keqja, Kllokoti është në mes të Vitisë, atë nuk e kanë izoluar, Vitinë po. Kjo është me e keqja, ju ka bë izolim i dyfishit Vitisë, plus Stubllën e ka më afër se sa Vitia, kjo është e pajustifikueshme”, ka thënë Haliti.

I pari i Vitisë ka thënë se kanë nevojë për rroba mbrojtëse dhe sipas tij, 3 mijë maska janë të pamjaftueshme për Vitinë pasi kjo komunë i ka 10 mijë banorë.

“Nuk kemi marrë furnizime të tjera, sidomos rroba mbrojtëse edhe material tjetër. Është problemi që për në Stubëll po na duhen shumë. Me 3 mijë maska një përdorimëshe ne më mbi 10 mijë banorë nuk shkon kështu, se di si po mendojnë ata”, ka thënë ai.

Haliti ka njoftuar se dy persona janë liruar nga Klinika Infektive dhe janë dërguar në shtëpi dhe se gjendja e tyre është e mirë.

“Familjet janë të izoluara, dy persona i kanë liruar prej spitalit. Edhe janë në gjendje të mirë , kjo është anë pozitive sepse na e ka lehtësuar në aspektin psikologjik për qytetarët”.

Në Komunën e Vitisë deri më tani janë konfirmuar se janë prekur me koronavirus 7 persona, ndërsa në Kosovë numri total i të prekurve ka arritur numrin 17. /Gazeta Sinjali/